Ballina Bota

TALIN – Estonia dhe Finlanda marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi në Balltik

TALIN, 29 mars /ATSH-AFP/ – Kompania estoneze e energjisë dhe gazit “Elering” dhe shoqëria shtetërore finlandeze “Connector OY” nënshkruan sot me kompaninë “Suisse Allseas Group S.A.” një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi në Balltik duke lidhur Finlandën me këtë vend balltik, njoftoi kompania estoneze.

Gazsjellësi “Balticconnector”, që do të vihet në punë në vitin 2020, do të lidhë Finlandën me pjesën tjetër të tregut energjetik europian për të reduktuar varësinë e këtij vendi përballë Rusisë, aktualisht furnizuesi i vetëm i gazit.

Kostoja e projektit është vlerësuar 300 milionë euro, 206 milionë euro prej të cilave janë siguruar nga Bashkimi Europian.

Vendet balltike kanë reduktuar pjesërisht varësinë e tyre në janar 2015 në momentin kur Lituania i dha fund monopolit të “Gazprom” duke inauguruar terminalin e parë të gazit natyral të lëngshëm (GNL) në portin e Klaipedas.

Punimet për ndërtimin e këtij gazsjellësi do të fillojnë këtë verë dhe tubacioni do të shtrihet nëndet në verë të vitit 2019. Trajektorja përgjatë Gjirit të Finlandës do të jetë e gjatë 77 kilometra.

Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e pjesëve tokësore dhe stacioneve të pompimit në dy vendet.

Gjermania hoqi të martën pengesat e fundit për ndërtimin dhe shfrytëzimin në ujërat e saj për gazsjellësin “Nord Stream 2”, një projekt rus i mbështetur nga Berlini, por i kritikuar nga Bashkimi Europian./
/ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHaradinaj kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës
Artikulli tjetërLONDËR – Martesa e Harry-t dhe Meghan do të tërheqë më shumë se 100 000 turistë