TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Qarku i Beratit dallon për përqendrimin më të lartë rajonal të investimeve bashkëkohore që kanë ndërmarrë fermerët për ndërtimin e serrave bujqësore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, përcolli sot në rrjete sociale pamje mbresëlënëse nga sipërfaqe të tëra të tokës bujqësore, të mbulura nga serra që janë ndërtuar sipas standardeve më të mira dhe garantojnë prodhim gjithëvjetor të produkteve bujqësore cilësore, që shkojnë kryesisht për eksport.
Krifca vlerësoi kontributin e programit IPARD II, në mbështetjen e dhënë fermerëve për investime që e kanë modernizuar prodhimit bujqësor në serra në çdo skja të vendit, teksa tha se “vetëm AZHBR në qarkun e Beratit, ka financuar rreth 240 projekte të inputeve në serra, të cilat kanë sjellë impakt në rritjen e ekonomisë, në plotësimin e nevojave të tregut të brendshëm për prodhim fruta-perimesh dhe ka rritur konsiderueshëm sasinë e eksporteve, me një kontribut prej 42 % nga 30 % krahasuar vetëm me një vit më parë, të totalit të prodhimit të perimeve që shkojnë për eksport”.
Krifca tha se, prodhimi në rreth 2100 hektarë serra është shndërruar në një avantazh konkurrues për Shqipërinë duke na pozicionuar në një vend prodhues, aktor rajonal të rëndësishëm në prodhimin e perimeve.
Ministrja shprehu angazhimin për vijimin e mbështetjes së fermerëve që i janë përkushtuar prodhimit bujqësor në serra, përmes pagesave të drejtëpërdrejta për të mbuluar kostot e inputeve bujqësore. Ndërkohë, theksoi ajo, në mbështetje të fermerëve, vijojmë për të tretin vit radhazi të zbatojmë skemën për shpërndarjen e naftës pa taksa për punime të mekanizuara.
/r.e/














