TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka marrë një letër falënderimi nga Presidentja e Komitetit Ekzekutiv të organizatës, Blanca Lilia Ibarra Cadena, për kontributin dhe pjesëmarrjen aktive në veprimtarinë e Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners-ICIC).
Ky vlerësim vjen si rezultat i angazhimit të Zyrës së Komisionerit në iniciativat bashkëpunuese për shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikave të mira me autoritete homologe, shoqërinë civile dhe partnerë, të cilët ndajnë qëllimin dhe objektivat e përbashkëta për promovimin dhe garantimin e të drejtës për informim dhe rritjen e transparencës së autoriteteve publike.
“Në emër të Institutit Kombëtar për Transparencën, Aksesin në Informacion dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (INAI) të Meksikës, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për përpjekjet tuaja të devotshme, pjesëmarrjen aktive dhe solidaritetin e palëkundur gjatë edicionit XIV të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC) zhvilluar në Manila, Filipine, nga 19 deri më 21 qershor 2023”, thuhet në letrën e dërguar nga Presidentja e Komitetit Ekzekutiv të organizatës, Blanca Lilia Ibarra Cadena në adresë të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shqipërisë, Besnik Dervishit.
“Ne besojmë fuqimisht se konferencat, diskutimet, seminaret dhe takimet rajonale të mbajtura gjatë gjithë aktivitetit kanë kontribuar ndjeshëm në diskursin mbi rolin dhe sfidat e së drejtës për t’u informuar dhe transparencën në ruajtjen e demokracisë, nxitjen e përfshirjes dhe promovimin ekonomik, social, dhe zhvillimin kulturor. Pa dyshim, këto platforma të paçmueshme për dialog dhe shkëmbim shërbejnë për të forcuar ICIC si përpjekjen më ambicioze dhe më të rëndësishme ndërkombëtare të bashkëpunimit në lidhje me aksesin global në informacion”, vijon letra.
“Për më tepër, theksojmë rëndësinë që ka forcimi i kapaciteteve të Organeve Garantuese për akses në informacion, veçanërisht në mes të krizave institucionale me të cilat përballen kombet në mbarë botën. Nëpërmjet bashkëpunimit, ne mund të nxisim lidhje më të forta midis autoriteteve ndërkombëtare dhe të punojmë drejt një shoqërie më paqësore, më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”, nënvizohet më tej në letër.
“Prandaj, ne konfirmojmë angazhimin tonë solid për të vazhduar bashkëpunimin me anëtarët e ICIC, organizatat joqeveritare, shoqërinë civile dhe institucionet e interesuara në formulimin e praktikave më të mira, reformave dhe projekteve që mbështesin dhe promovojnë transparencën dhe aksesin në informacion në të gjitha sferat”, thekson në letrën e saj Presidentja e Komitetit Ekzekutiv të ICIC, Blanca Lilia Ibarra Cadena.
“Sa më sipër, dëshiroj të ndaj përvoja të reja në edicionin e ardhshëm të ICIC. Si Komisionere e INAI, do të jem e lumtur të marr pjesë dhe të kontribuoj në zhvillimin e Edicionit XV ICIC, i cili parashikoj se do të jetë i suksesshëm”, përfundon letra e Presidentes së Komitetit Ekzekutiv të ICIC.
/r.e/






















