TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shkodër, Benet Beci deklaroi sot se oferta e forcës politike që ai përfaqëson është shpresa për të ardhmen, ndërsa në anën tjetër është zemërimi.
Në takimin përmbyllës të fushatës së 14 majit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Beci i ftoi shkodranët të votojnë të dielën, pasi vota nuk është për të, por për Shkodrën.
“Kemi folur këto ditë si të kemi një Shkodër moderne, europiane, si të rregullojmë ekonominë. Ju jam mirënjohës për çfarë kemi folur e menduar. Një mik më tha: diferenca mes dy palëve, mes dy ofertave është se nëse ne po ofrojmë shpresën e zhvillimin, në anën tjetër është inati dhe zemërimi. M’u duk e gjetur kjo. Jemi mes inatit dhe shpresës. Dhe ne kemi ardhur për të sjellë shpresën në Shkodër. Oferta jonë është shpresë për Shkodrën”, u shpreh ai.
Beci i siguroi shkodranët për mbështetjen e Kryeministrit për realizimin e programit për Shkodrën.
“Ardhja dy herë e Kryeministrit në Shkodër gjatë kësaj fushate tregon vëmendjen e tij ndaj qytetit dhe programit për Shkodrën. Kam punuar 10 vite me Kryeministrin Rama dhe ai është njeri i fjalës. Me mbështetjen e tij për programet e Shkodrës, ju garantoj se unë do të jem pjesë e realizimit më të mirë të programeve të qeverisë dhe donatorëve. Ndaj dua nga secili nga ju mbështetjen për të bërë realitet ato që kemi biseduar”, tha Beci.
Ai theksoi se Shkodra meriton të jetë një nga qytetet më të mira në Shqipëri.
“Të dielën në darkë shpresoj të shoh një buzëqeshje të madhe në fytyrën e secilit nga ju, ndaj ju ftoj që secili nga ju të marrë një mik, e një shok dhe të votojë. Nëse mendon se Shkodra duhet të përparojë, ta marrë me vete, të votojë të dielën. Vota të dielën nuk është votë për mua, por votë për Shkodrën, ndaj ta fitojmë Shkodrën”, deklaroi Beci.
/r.e/






















