Ballina Flash

Garo: Përpjekje për të frikësuar opozitën duke përdorur Policinë

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Zëdhënësja e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Floriana Garo u shpreh sot se “përpjekja për të frikësuar opozitën duke përdorur Policinë, nuk na tremb”.

Përmes një deklarate për shtyp, Garo denoncoi se në Tiranë, Policia Bashkiake është dërguar për të mbyllur zyrat e degëve të Partisë Demokratike dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Banditë me uniformë, në shkelje të çdo kodi etik dhe elektoral kanë shkuar në zyrat e degëve 2 dhe 5, me urdhrin e mbylljes në dorë. Përpjekja për t’i mbyllur opozitës çdo shteg komunikimi me zgjedhësit, pasi i grabitën vulën dhe i caktuan drejtuesin e koalicionit kundër vullnetit të anëtarëve, i bën të duken të vegjël dhe në panik nga vala popullore që u është kthyer kundër”, tha Garo.

Po ashtu, ajo u shpreh se në Cërrik një zyrtar i shtetit, shefi i Komisariatit i shndërruar në shoqërues të kandidatit të PS-së, në shkelje të ligjit bën kontrolle nëpër lokale e shtëpi të mbështetësve të opozitës.

“Jo larg Cërrikut, në Lushnjë, Policia Bashkiake ka shkuar në mënyrë demonstrative para selisë së PD me qëllim për të hequr banderolën elektorale. Më alarmante gjendja është në Pukë, ku taborret e Gjon Gjonajt, në Polici dhe administratë, kanë filluar një fushatë të hapur kërcënimesh me qëllim trembjen e opozitarëve”, tha ajo.

Sipas Garos, Policia është vënë në dijeni, por nuk merr asnjë masë ndaj tyre, madje bashkëpunon me ta.

“Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ i bën thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që të tërheqë menjëherë policët e kthyer në banditë, nga Lushnja në Cërrik e deri në Pukë e më tej. Përdhosja e uniformës është një akt i turpshëm për të gjithë trupën e policisë dhe profesionistët e saj. I bëjmë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për këto shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe dhunën që ushtrohet mbi këtë premisë. I kërkojmë OSBE/ODIHR që t’i marrë shënim të gjitha këto abuzime dhe t’i konsiderojë për raportin final të zgjedhjeve të 14 majit”, tha Garo.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Gjermania: Rivaliteti dhe konkurrenca nga Kina janë rritur
Artikulli tjetërAlibeaj në Korçë: E vetmja alternativë e djathtë është Partia Demokratike