TIRANË, 6 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS-së, prezantoi sot kandidatin e PS-së për kryetar bashkie në zgjedhjet e 14 majit në Vlorë, Ermal Dredhën.
Në takimin me qytetarët të Vlorës, Rama siguroi Dredhën për mbështetje të plotë.
“Jemi në fund të rrugës për t’i dhënë Vlorës një kryetar bashkie si duhet. Unë kam shumë besim që Ermali do të jetë në gjendje të jetë kryetari i bashkisë, nuk ka nevojë të bëjë shumë përpjekje për të gjetur fondet që i duhen, sepse qeveria në Tiranë, dhe unë personalisht, presim me padurim të kemi projektet e duhura e në krye të tyre njeriun e duhur”, u shpreh Rama.
Ai, vuri në dukje Kryeminsitri, duhet të harxhojë kohën për të dëgjuar qytetarët.
“Nga ana tjetër, kryetari i bashkisë së Vlorës kohën që të tjerë kryetarë bashkie e harxhojnë për të kërkuar mbështetje e fonde, duhet ta harxhojë për të dëgjuar njerëzit që kanë nevojë të dëgjohen dhe familjet që kanë nevojë të mbështeten, komunitetet brenda komunitetit të madh që kanë nevojë të ndjehen të respektuar. Duhet ta dijë sa hap sytë që hallin që nuk ia zgjidh dot një qytetari, duhet t’ia qajë“, tha Rama.
Rama tha se Ermal Dredhës i kishte kërkuar të qëndronte pa gjumë, pasi siç theksoi ai, Vlora nuk mban dot në kurriz një kryetar që ka gjumë.
“Unë me Ermalin nuk kam folur për vizione e projekte. Kur Ermali më ka pyetur çfarë pret nga unë, i kam thënë: të rrish pa gjumë. Vlora nuk e mban dot në kurriz një kryetar bashkie që ka gjumë. Duhet një kryetar bashkie pa gjumë, që zgjohet i pari dhe del e shikon në qytet të mos ketë asnjë copë letër përtokë, që fle i fundit pasi i ka parë të gjitha pikat ku Vlora pastrohet”, u shpreh Rama.
Sepse, shtoi ai, për fat të keq ndër të gjitha bashkitë që PS drejton, Vlora është bashkia më problematike për pastrimin.
Dhe kjo sipas tij është e papranueshme.
“Nuk mund të vijë qeveria këtu të pastrojë Vlorën, Vlorën e pastron bashkia. Dhe Vlora është ndër lojtarët kryesorë të skuadrës për të bërë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan. Por nuk bëhemi dot kampionë, nëse nuk i lëmë turistët pa fjalë kur të vijnë në Shqipëri dhe Vlorë dhe të mos gjejnë dot një copë letër në tokë. Këtu fillon fitorja e këtij kampionati”, u shpreh Kryeministri.
Rama e cilësoi një problem të madh vendimet për leje ndërtimi, të cilat tha ai nuk mund të zhbëhen më, ndërsa solli shembullin e një godine përballë tij.
“Vlora ka nevojë për një kryetar i cili matet 7 herë para se të firmosë një leje ndërtimi, si ajo përballë meje dhe pas 7 herësh të pyesë 7 të tjerë e pastaj të marrë vendime që nuk zhbëhen më. Kemi problem të madh me vendimet që nuk zhbëhen më në të gjithë Shqipërinë“, deklaroi Rama.
Kryeministri njëkohësisht theksoi se Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie, i cili të ketë respekt për çdo socialist e socialiste në radhën më të parë, sepse, theksoi ai, pa ta jo nuk ka kryetar bashkie në Vlorë, por nuk ka Vlorë të së ardhmes.
“Vlora ka nevojë për një kryetar bashkie që të mos i lejojë udhëheqësit të mbyllin derën e PS për të gjithë ata që duan të na bashkohen. Ka nevojë për një kryetar bashkie që socialistët t’i dojë pa kushte, ndërsa qytetarët demokratë t’i respektojë pa kushte”, u shpreh Rama.























