TIRANE, 6 maj/ATSH/ Ambasadori Alastair King-Smith organizoi sot një pritje mbretërore në Rezidencën Britanike për të shënuar kurorëzimin Mbretit Karli III dhe Mbretëreshës Kamila.
Sipas njoftimit tv ambasadës britanike në rrjetet sociale, kjo ishte një mundësi për të kremtuar Mbretin e ri të Britanisë dhe gjithashtu marrëdhëniet e forta mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Të gjithë ju këtu sot keni luajtur një rol për t’i sjellë më afër dy vendet tona. Sot jemi këtu për të festuar këtë moment të veçantë për Mbretin Karli III dhe Mbretëreshën Kamila. Por kjo ngjarje ka të bëjë edhe me ju – partnerët tanë shqiptarë në institucione, biznes dhe shoqërinë civile. Sot Mbretëria e Bashkuar tregon mirënjohjen e saj për gjithçka që keni bërë për të forcuar partneritetin tonë”, tha ambasadori Alastair King-Smith në fjalën e tij para të ftuarve.
Në pritje bashkë me trupin diplomatik, ishin të pranishëm edhe personalitete të jetës politike, kulturore, te sistemit gjyqësor dhe shumë të ftuar të tjerë.






















