TIRANË, 27 Mars/ATSH/.- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri sot thirrje të gjitha partive politike që aktualisht nuk kanë dorëzuar pranë KQZ-së raportet financiare vjetore për vitin 2017, t’i dorëzojnë ato menjëherë.
Nga 128 parti politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, deri tani e kanë dorëzuar raportin vetëm 18 parti politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjve shpreh vendosmërinë për të respektuar ligjin, dhe kujton se afati për dorëzimin e raporteve financiare është data 31 mars 2018”, njoftoi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
“Shkelja e afatit të dorëzimit të raportit financiar në kohën e duhur apo paraqitja e tyre në shkelje të formateve të standardizuara, të miratuara nga KQZ, në zbatim të nenit 23/4 të ligjit “Për partitë politike”, dënohet me gjobë nga 50.000-100.000 lekë”, thuhet në deklaratën për shtyp.
KQZ ftoi po ashtu ekspertët kontabël të licensuar që të shprehin interesin e tyre pranë KQZ-së, për auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik 2017, në mbështetje të ligjit “Për Partitë Politike”.
Ekspertët kontabël të regjistruar pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit duhet të jenë po ashtu apartiak.
Pas shfaqjes së interesit nga ekspertët kontabël pranë KQZ-së, përmes një shorti transparent që do të hidhet nga KQZ, do të përcaktohen edhe ekspertët që do të bëjnë auditimin e fondeve të përftuara dhe shpenzuara gjatë vitit kalendarik 2017 nga partitë politike.
Auditët e interesuar ftohen të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 8 prill 2018 dokumentacion përkatës./m.m/ /a.g/























