Ballina Ekonomi

Komisioni i Ekonomisë miraton ndryshimet në buxhetin e vitit 2022

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot ndryshimet e sjella përmes një Akti Normativ në buxhetin e vitit 2022.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, në fjalën e saj, bëri të ditur se rishikimi i buxhetit 2022, u bë me qëllim akordimin e një mbështetje financiare të menjëhershme për një sërë kategorish qytetarësh.

“Objektivi ishte dhe mbetet lehtësimi i efekteve të inflacionit të luftës në Ukrainë mbi konsumin bazë të familjeve shqiptare për 695 mijë pensionistë, familje në nevojë në ndihmë ekonomike, posaçërisht nëna kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuar, invalidët e punës, por dhe për punopnjësit e shtetit”, u shpreh Xhemali.

Sipas saj, Akti Normativ siguroi akordimin e një fondi prej rreth 7.8 miliardësh lekë në zërin “fondi rezervë’, në mbështetje të politikave sociale në mbështetje të disa kategorive vulnerabël, si dhe reflektimin në kahun e të ardhurave të një rritjeje, në masën rreth 1.5 miliardë lekë dhe ruajtjen të pandryshuar të defiçitit buxhetor dhe borxhit publik.

Deputetja e PS-së, Anila Denaj, në cilësinë e relatores, vlerësoi rëndësinë e Aktit Normativ për mbështetjen e qytetarëve dhe posaçërisht shtresave në nevojë për përballimin e pasojave të inflacionit.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nis puna për transformimin e DRSHTRR në Durrës
Artikulli tjetërNderohet mjeku shkodran, Zyhdi Çoba në 80-vjetorin e lindjes