TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Albcontrol, ofruesi i Shërbimit të Lundrimit Ajror, ka hapur procedurën për rekrutimin e 30 kontrollorëve, të cilët do të shërbejnë në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës dhe në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda tha se kjo është një mundësi për të mos u humbur nga çdo i ri ose e re.
18 kontrollorë do të rekrutohen për kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA) dhe 12 kontrollorë për Qendrën e Kontrollit të Trafikut Ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).
Albcontrol ka specifikuar dhe kushtet që duhet të përmbushë një aplikant. Aplikanti duhet të jetë i lindur pas 31.3.1998, pra më pak se 25 vjeç, të ketë një diplomë Bachelor si dhe gjuhën angleze, dëshmi të aftësisë në punë dhe mjekësore, si dhe përdorim të programeve kompjuterike.
Aplikimet sipas Albcontol do të qëndrojnë të hapura deri në 31 janar të vitit të ardhshëm.
/r.e/























