TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Qeveria ka rishikuar sërish buxhetin e këtij viti duke ndryshuar kufijtë e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Sipas Aktit Normativ i cili është publikuar në Fletoren Zyrtare të ardhurat buxhetore rriten me 5 miliardë lekë, duke arritur në 581.8 miliardë lekë, nga 576.8 miliardë lekë që ishin parashikuar në ndryshimet e muajit korrik, ndërsa shpenzimet arrijnë në 665,6 miliardë lekë, nga 660.6 miliardë lekë të parashikuara.
“Ky rishikim i buxhetit 2022, ka si synim kryesor: reflektimin në kahun e të ardhurave të një rritjeje, në masën 5 miliardë lekë, si rezultat i performancës së kënaqshme të realizimit të zërave të tyre për 10-mujorin 2022; axhustimet mes zërave të shpenzimeve buxhetore, korente e kapitale, me synimin e optimizimit të realizimit të tyre për pjesën e mbetur të vitit 2022, me një rritje neto po në masën 5 miliardë lekë”, thuhet në relacionin e Aktit Normativ.
Sa i takon borxhit publik, ai mbetet i pandryshuar.
Ndërkohë kostoja e shërbimit të borxhit është rishikuar në ulje. Shpenzimet e parashikuara për interesa gjatë vitit 2022 vlerësohet të ketë një kursim në vlerën prej 3 miliardë lekësh në interesat e brendshme si dhe 2.96 miliardë lekë në interesat e huaja. Gjatë vitit 2022 pati rritje të konsiderueshme të normave, sikundër ishte parashikuar, por, nga ana tjetër, ka pasur një ngadalësi të huamarrjes së pritshme si nga burimet e brendshme edhe nga burimet e huaja, të cilat ndikojnë në mënyë të drejtpërdrejtë shpenzimet e interesave për vitin përkatës.
Gjithashtu, në këtë kategori shpenzimi parashikohen edhe fonde që mund të nevojiten të paguhen nga buxheti i shtetit për kredi të garantuara nga qeveria, në rast se huamarrësi dështon të paguajë interesat e kredive të 3 garantuara.
Gjatë vitit 2021 u emetuan një sërë garancish në përfitim të sektorit energjetik, ku, referuar kushteve të vështira me të cilat ky sektor po përballet së fundi, u vlerësua i lartë risku i pagesës së detyrimeve që rrjedhin nga këto kredi të garantuara nga buxheti i shtetit. Ndërkohë, gjatë vitit 2022 interesat e këtyre kredive të garantuara janë paguar nga vetë operatori i energjisë, duke sjellë, gjithashtu, një kursim në fondin e parashikuar për këtë qëllim.
Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në nivelin 83 863 milionë lekë.
Në kahun e shpenzimeve parashikohet rritja me rreth 12.4 miliardë lekë për fondin e rindërtimit, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve në vazhdim. Po ashtu rritja me 5 miliardë lekë për projektet në vazhdim në infrastrukturë në programin “transporti rrugor” për avancimin e projekteve strategjike si tuneli i Llogorasë dhe Unaza e Tiranës dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Me 2 miliardë lekë shtohen edhe fondet për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës kanalizimeve në shkallë vendi, për përmirësimin e furnizimit me ujë të popullsisë dhe mbulimin e detyrimeve të prapambetura.
Policisë së Shtetit i alokohen rreth 1 miliard lekë për nevoja operative si uniforma,
karburant etj.
Rreth 800 milionë lekë alokohen për MIE-në, në zërin ‘Mirëmbajtje rrugore’, me qëllim
shlyerjen e detyrimeve të akumuluara.
Po ashtu, në Skemën Kombëtare të Fermerëve shtohen 200 milionë lekë si financim shtesë për skemën kombëtare të fermerëve.
/r.e/























