TIRANË, 6 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Majlinda Bregu deklaroi sot gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes roaming mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, se brenda vitit 2027 pritet të arrihet në zerimin e tarifave për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Bregu tha se marrëveshja për tarifat e roaming mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ishte proces i lehtë, dhe nuk do të mund të realizohej pa kontributin e madh dhe personal të Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.
“Nga 1 tetori 2023 ky kuadër vetërregullator dhe gjithë procesi i uljes së tarifave për qytetarët do të zbatohet për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do të hyjë në fuqi në 1 tetor 2023 dhe prej asaj dite do të vijojë sërish derisa të mbërrijmë që tarifat e roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të aplikohen vetëm sipas tarifave lokale”, tha ajo.
Bregu theksoi se “europianizimi i Ballkanit Perëndimor është i tillë që nuk duhet të presim deri në ditën e anëtarësimit të plotë për të konsideruar veten tonë si pjesë të komunitetit europian”.
“Ky është një proces me faza, hap pas hapi, që e sjell procesin e integrimit europian në ato modele që përdor BE-ja vetë, edhe më herët sesa të bëhesh anëtar me të drejta të plota.
Ky ushtrim për procesin e roaming, por edhe 3 marrëveshjet për lëvizshmërinë që u nënshkruan 3 javë më parë në Berlin gjatë Samitit të Berlinit, janë shembujt e paktë dhe të vërtetë që bashkëpunimi rajonal funksionon. Ne kemi kryer shumë punë dhe jemi përpjekur shumë që ta afrojmë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së dhe shpresojmë që dita e sotme do të ndikojë pozitivisht punën tonë të përbashkët. Presim që operatorë të tjerë të sektorit të telekomunikacionit të bëhen pjesë e kësaj”, tha Bregu.
/j.p/r.e/























