TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Bashkimi Evropian do t’i akordojë Shqipërisë një grant prej 80 milionë eurosh për përballimin e krizës energjetike.
Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj sot gjatë diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2023 në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
“Pas miratimit të projektbuxhetit për vitin 2023, në Këshillin e Ministrave, kemi marrë konfirmim nga Bashkimi Evropian që do të kemi një fond në formën e një garanti prej 80 milionë eurosh për përballimin e efekteve që vijnë kryesisht nga kriza energjetike”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Ky fond, informoi ajo, do të futet në zërin e ndihmës para se p/buxheti të kalojë për miratim në parim në seancë plenare.
“Ky fond do tu shtohet fondeve të disponueshme për përballimin e efekteve të krizës që buxheti parashikon”, tha ajo.
Në projektbuxhetin e vitit 2023, janë parashikuar 12 miliardë lekë si mbështetje e sektorit energjetik për të vijuar ruajtjen e pandryshuar të çmimit për konsumatorët familjarë dhe për pjesën më të madhe të bizneseve.
Por, kjo do të jetë e kushtëzuar në varësi të kushteve atmosferike, të tregjeve të energjisë, si dhe gjendjes financiare të kompanive prodhuese.
Kjo mbështetje pason dy ndërhyrje të konsiderueshme në buxhetet e vitit 2021 dhe 2022 me respektivisht 10 miliardë lekë në 2021, e 28 miliardë lekë mbështetje për këtë sektor në vitin 2022.
/r.e/














