Ballina Ekonomi

Rama: Bashkimi i fermerëve garanton tregun e prodhimeve bujqësore

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u bëri sot thirrje fermerëve që të bashkohen për të racionalizuar kostot dhe për të garantuar sasinë e prodhimit dhe cilësinë, që janë të domosdoshme në tregun e konkurrencës së lirë.

Rama zhvilloi sot një takim me fermerët në Shirgjan të Elbasanit, ku u ndal te rritja e prodhimit bujqësor e blegtoral dhe shtrëngimin nga inflacioni i luftës.

Rama tha se në këtë situatë ka nevojë për mbështetje reciproke, dhe qeveria ka detyrën të triumfojmë mbi të keqen e tretë radhazi, pas tërmetit e pandemisë.

“Ky është një moment i vështirë ku gjithçka është vënë nën presionin e luftës në Ukrainë, e cila këtu nuk ka ardhur me bomba mbi kokat tona, por ka sjellë inflacionin që është një mostër e cila edhe pse nuk duket fizikisht duket në çdo blerje të ushqimeve, të produkteve jetësore ku kërkon pjesën”, tha Rama.

Por, ai theksoi se në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë ka një rrugë të re të zhvillimit bujqësor.

“Përpara se të vinim këtu vizituam një realitet të ri fantastik, domethënës, shembullor dhe model për t’u ndjekur nga të gjithë. Nuk është i vetmi model në Shqipëri, por nëse duam të bëjmë një diferencë të madhe në jetën familjare, në fermë, është e vetmja rrugë, bashkimi. Federata e Ullirit me mbi 130 anëtarë është aty për t’u parë dhe marrë shembull. Përpara se ta krijonin, ata që e kanë themeluar kanë vajtuar në Xarë, në Konispol dhe kanë parë si funksionon bashkimi”, tha Rama.

Bashkimi i fermerëve, sipas tij, funksionon mbi një logjikë shumë të thjeshtë, secili merr pjesën që i takon.

“Por duke qenë bashkë bëhet racionalizim i kostove dhe garantohet sasia e prodhimit, cilësia dhe mbrojtja e domosdoshme në tregun e konkurrencës së lirë në këtë sektor, sepse ‘delen e vetmuar e ha ujku’, thotë populli. Nuk mundet dot që me një ngastër të shkosh larg. Por nëse bashkohesh, ndryshon komplet loja. Federata e Ullirit tregon rrugën për të bërë një hap të madh para. Kemi nevojë të rrisim sipërfaqen e tokës ku forcat bashkohen dhe pavarësisht se kemi tokë të fragmentuar në shumë pronësi, nëse bashkojmë mendjet dhe energjitë, secili merr pjesën e vetë, ndryshe nga kooperativa e dikurshme kur të gjithë punonin, por merrnin njësoj e shumë pak”, shtoi ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shumica e pedagogëve janë në krye të detyrës, u janë rritur pagat më shumë se të gjithëve
Artikulli tjetërGjiknuri: Investimet kanë rritur prodhimin