STAMBOLL, 20 tetor/ATSH-AA/- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan iu drejtua me një mesazh Forumit për Mjedisin që organizohet nga Anadolu Agency (AA) për të rritur ndërgjegjësimin për krizën klimatike dhe çështjet mjedisore, që mbahet në Stamboll me temën “Riformësimi i narrativës së krizave mjedisore dhe klimatike”.
Në fjalën e tij, Erdogan tha se “jemi në vendin e pestë në Evropë për energjinë e rinovueshme. Këtë e arritëm duke e rritur nivelin e burimeve të rinovueshme në 55 për qind”.
“Ne do të vazhdojmë t’i hedhim të gjitha hapat e nevojshme për të arritur emetimet neto zero 2053, që është qëllimi ynë përfundimtar në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, deklaroi presidenti turk.
Ai theksoi se forumi organizohet për të gjetur një zgjidhje për një nga problemet më të mëdha globale, krizën klimatike dhe mjedisore, nga këndvështrimi i medias.
Presidenti Erdoğan shprehu bindjen se çështjet klimatike dhe mjedisore do të trajtohen në forum në të gjitha dimensionet duke filluar nga përgjegjësia e medias deri tek zhvillimi i qëndrueshëm, si dhe qasja e medias ndaj fatkeqësive natyrore.
“Industrializimi, përparimet teknologjike dhe efektet e shkaktuara nga njeriu, fatkeqësisht shkaktojnë dëme shumë serioze në mjedis. Çdo vit, ne shohim dhe ndjejmë gjithnjë e më shumë efektet e këtij shkatërrimi në mbarë botën. Nëse nuk merren masat adekuate dhe në kohën e duhur, fatkeqësitë mjedisore, ndotja e ajrit, siguria e ujit dhe ushqimit dhe humbja e biodiversitetit do të arrijnë në pika të pakthyeshme”, u shpreh ai duke shtuar:
“Pa dyshim, si në çdo çështje edhe në këtë çështje, është e rëndësishme që vendi i cili e dëmton më së shumti natyrën duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi, të kontribuojë më shumë në përpjekjet”.
Në aspektin e emetimit të gazrave serrë, presidenti turk tha se, megjithëse përgjegjësia e tyre historike është nën 1 për qind, lufta kundër problemeve klimatike dhe mjedisore është ndër pikat e tyre kryesore të axhendës.
“Në këtë drejtim, në 20 vitet e fundit kemi hedhur hapa historike në vendin tonë për të mbrojtur natyrën dhe mjedisin si dhe për të parandaluar efektet e ndryshimeve klimatike”, tha ai.
Erdoğan theksoi se kanë arritur të marrin rezultatet e përpjekjeve të tyre të sinqerta në fushat e përhapjes së energjisë së rinovueshme, menaxhimit të mbetjeve, rritjes së sipërfaqeve pyjore dhe shumë të tjera.
“Türkiye u ngjit në vendin e 5-të në energjinë e rinovueshme, ndërsa në botë në vendin e 12-të. Këtë e arritëm duke e rritur nivelin tonë të energjisë së rinovueshme në 55 për qind në nivelin total të energjisë sonë të rinovueshme. Duke i rritur asetet tona pyjore në 23 milionë hektarë, u bëmë vendi që rriti më së shumti asetet pyjore në Evropë”, u shpreh ai duke shtuar se vazhdojnë pa ndërprerë në ndërtimin e “kopshteve kombëtare” prej 82 milionë metra katrorë në 81 provinca të vendit.
Duke folur edhe për automjetin e parë vendas Togg, presidenti Erdoğan tha se gjatë projektimit të automjetit, si një automjet tërësisht elektrike, kanë vepruar me vetëdijen e përgjegjësisë ndaj mjedisit.
Ai rikujtoi se vitin e kaluar në Kuvend e kanë miratuar Marrëveshjen e Parisit për Klimën. “Ne do të vazhdojmë t’i hedhim të gjitha hapat e nevojshme për të arritur emetimet neto zero 2053, që është qëllimi ynë përfundimtar në luftën kundër ndryshimeve klimatike”, u shpreh ai.
Duke vënë në dukje se korporatat mediatike si Anadolu Agency (AA) kanë një përgjegjësi të madhe në rritjen e ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike dhe mjedisin, Erdoğan theksoi se:
“Anadolu Agency e cila para një kohe të shkurtër themeloi ‘Linjën e Gjelbër’ u bë një nga organizatat kryesore të gazetarisë klimatike jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Besoj se Anadolu Agency, e cila është zëri i vendit tonë në botë për plotë 102 vjet, do t’i tregojë gjithë botës lidhur me ndryshimet klimatike dhe mjedisin duke parë të padukshmen dhe duke dëgjuar të padëgjuarën. I uroj suksese agjencisë tonë në këtë detyrë të rëndë por të rëndësishme”.
Forumi i AA-së për Mjedisin, ku po merr pjesë edhe drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, organizohet me synimin për të diskutuar në mënyrë të paanshme çështjet e tilla si domosdoshmëria e krijimit të një gjuhe të re mediatike në çështjet mjedisore dhe klimatike, rritja e ndërgjegjësimit global të agjencive ndërkombëtare të lajmeve, detyrat që u takojnë korporatave tradicionale dhe të reja të medias, ndjekja e ndërgjegjësimit mjedisor në fushat e reja të lajmeve dhe vendosjen e marrëdhënies mes mediave dhe mjedisit mbi një bazë të shëndetshme.
Në forum fjalim do të mbajnë drejtori i përgjithshëm dhe kreu i Bordit Drejtues të AA-së, Serdar Karagoz, përfaqësuesja e Përhershme e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Turqi, Louisa Vinton, zëvendësdrejtori ekzekutiv i Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, Ovais Sarmad, ndërsa në hapje do të marrë pjesë me video-mesazh edhe shefi i Drejtorisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun.
Sesioni i parë i forumit ku do të marrin pjesë si folës, përfaqësues të organizatave joqeveritare vendase e të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare, politikanë, akademikë dhe përfaqësues të mediave, do të zhvillohet me temën “Përgjegjësia e Medias në Ndryshimet Klimatike”, moderator i të cilit do të jetë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe kryeredaktori i AA-së, Yusuf Ozhan.
Forumi do të vazhdojë me sesione si “Energji e Pastër për Zhvillim të Qëndrueshëm”, “Qasja e Medias drejt Fatkeqësive Natyrore”, “Kriza Klimatike dhe Ndarja e Përgjegjësisë”, ndërsa do të shqyrtohen çështje të tilla si ndryshimi i klimës, energjia, këndvështrimi i medias për ndryshimet klimatike dhe edukimi mjedisor.
Në mesin e folësve të forumit janë edhe zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay dhe ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum.
Fjalën përmbyllëse të Forumit të AA-së për Mjedisin pritet ta mbajë bashkëshortja e presidentit Recep Tayyip Erdogan, Emine Erdogan, pionierja e projektit “Zero Mbetje”.
Në mesin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë të forumit janë shkencëtarë politikë dhe ish-ministri portugez për Çështjet e Evropës, Bruno Macaes, zëvendësdrejtori ekzekutiv i Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, Ovais Sarmad, drejtori i përgjithshëm i agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Stefano de Alessandri, editori i agjencisë së lajmeve AP për Klimë Globale dhe Mjedis, Peter Prengaman dhe drejtori i mjedisit i agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, Arturo Larena.













