Ballina Aktualitet

Balla: PS do të garojë për të fituar në secilën prej 61 bashkive

TIRANË, 10 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha për emisionin “Pa Censurë” se PS është gati për të rimarrë besimin e qytetarëve për të qeverisur në 61 bashkitë e vendit nga 59 që ka aktualisht.

Ai nuk llogarit sot bashkinë e Shkodrës, të drejtuar nga Bardh Spahia i PD dhe bashkinë e Vlorës, të drejtuar nga Dritan Leli, i përjashtuar nga PS vjet, pasi refuzoi kandidimin si deputet i PS për qarkun e Vlorës.

Sot Taulant Balla tha se, synon të marrë çdo bastion të PD, përfshi Shkodrën dhe Kamzën, edhe në garë me PD.

Në një bisedë me gazetaren Elona Meço, Balla, i cili është drejtues politik në qarkun e Fierit, flet për mundësitë e Armand Subashit për rikandidim, pavarësisht hetimit ende të hapur për inceneratorët.

“PS do të garojë për të fituar në secilën prej 61 bashkive, pa asnjë dallim. Meqë iu referuat Fierit, Fieri është model i shkëlqyer i qeverisjes sonë vendore. Fieri ka rilindur në vitet e fundit, në shumë aspekte, por kjo është një vendimmarrje në vlerësim të punës që është bërë dhe të asaj që duhet të kishim bërë më mirë apo duhet të bëjmë më mirë”, u shpreh Balla.

Për bashkinë e Fierit, Balla tha se, “puna në Fier duhet marrë në konsideratë në vendimmarrjet tona për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ajo që po ju them është se PS  synon të fitojë edhe në Shkodër, edhe në Kamëz, që dikur kanë qenë zona ku pritshmëritë tona ishin më të ulëta. Prandaj kur bëhet fjalë për Fierin, Fieri është një prej kryeqendrave të PS. Bashkëveprimi mes qeverisë vendore dhe qendrore është aq i mirë, me projekte konkrete infrastrukturore dhe politika të tjera të nxitjes së punësimit. Bashkë me zotin Subashi dhe me mbështetjen e kryeministrit Rama kemi identifikuar projekte që do ta bëjnë Fierin me det, duke nënvizuar këtu investimin shumë të rëndësishëm të asaj që quhet Rruga e Semanit për ta lidhur detin me Fierin apo Fierin me detin”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInstagram dhe Twitter pezullojnë Kanye West
Artikulli tjetërSHBA – Blinken: Do të vazhdojmë të ndihmojmë pa ndërprerje Ukrainën