TIRANË, 1 korrik/ATSH/ I ngarkuari me punë pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Alexis Hupin u takua sot me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj për të diskutuar mbi programin e Reformës Ekonomike të Shqipërisë 2022-2024, i cili fokusohet në përpjekjet e qeverisë për të vijuar me reformat për konsolidimin fiskal dhe zhvillimin ekonomik.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, bëri të ditur në rrjetet sociale se “BE do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për ciklin e ardhshëm të Programit të Reformës Ekonomike 2023-2025 në hartimin e reformave që mundësojnë një mjedis të favorshëm biznesi dhe në promovimin e përfshirjes në politikat e punësimit dhe ato sociale, siç është rënë dakord në Bruksel në takimin e Këshillit të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare me Ballkani Perëndimor më 24 maj”.
Më 31 janar 2022, Shqipëria paraqiti Programin e saj të Reformave Ekonomike (PRE) 2022-2024. Udhëzimet e politikave të përcaktuara në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të 12 korrikut 2021 janë zbatuar pjesërisht.
Rimëkëmbja ekonomike në vitin 2021 ishte më e fortë nga sa pritej, me një rritje reale prej 8.3 %, dhe PRE-ja parashikon që rritja ekonomike vjetore të stabilizohet në një mesatare prej 4 % në periudhën 2022-2024, bazuar në rritjen e investimeve dhe konsumit privat, si dhe mbështetur nga eksportet neto.
/j.p/r.e/






















