Ballina Aktualitet

Balla: Do emërohen 22 magjistratë për plotësimin e vakancave

TIRANË, 27 maj /ATSH-I.Vata/ Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla së bashku me anëtarin Ludovik Dodaj, kanë marrë pjesë sot në analizën vjetore të punës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit Durrës.

Në këtë takim morën pjesë prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të strukturave raportuese, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm i shoqëruar nga Kostaq Beluri, Drejtuesi i Parë Neritan Nallbati, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, si dhe zv/kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Paulin Çera.

Drejtuesi i Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Anita Jella dhe Drejtuesi i Caktuar Përkohësisht i Prokurorisë së Apelit Durrës, Moisi Duda raportuan lidhur me aspektet e veprimtarisë së strukturave të cilat drejtojnë, mbi organizimin e brendshëm, gjendjen, progresin, problematikat dhe mbështetjen që synohet.

Kryetari i KLP-së, Balla në fjalën përshëndetëse gjatë analizës vjetore, përgëzoi ekipet e të dyja prokurorive raportuese, për evadimin e një volumi të madh pune hetimore përgjatë vitit 2021.

Balla theksoi se, tashmë pjesa më e vështirë e situatës së shkaktuar nga vakancat në sistem po kalon dhe, gjatë muajit korrik 2022, do të emërohen 22 magjistratë (prokurorë), të cilët do të lehtësojnë volumin e punës në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Balla, kërkoi një bashkëpunim më të madh e konkret ndërmjet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe Prokurorisë së Apelit Durrës, si dhe të këtyre dy prokurorive me agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me gjykatën e rrethit.

Gjithashtu, iu kërkua prokurorëve se, në rast se vlerësojnë ndryshime dhe/apo përmirësime të mundshme në legjislacionin në fuqi, të përcjellin propozime ligjore dhe/apo proceduriale konkrete pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Katër raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërRama: Pastrimi i territorit, operacion sistematik edhe gjatë sezonit veror