TIRANË, 24 mars /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kundërshtoi sot gjatë fjalës në Kuvend, paketën e propozuar nga PD për krizën e çmimeve.
Në fjalën e tij Balla tha se, paketa e qeverisë është 350 milionë dollarë, ndërsa paketa e opozitës është më e vogël.
Sipas Ballës, përmes Paketës së Rezistencës Sociale, shumica qeverisëse ka marrë masat që goditja nga kriza e çmimeve në tërësi të mos dëmtojë shqiptarët më në nevojë.
“Ndonëse çmimi në treg i energjisë është rritur nga 52 euro për megavat-orë vjet, në 550 euro për megavat-orë sot, qeveria paguan thuajse 80% të faturës së energjisë në çdo familje shqiptare dhe të çdo biznesi të vogël. Mjafton të marrim shembullin e një fature familjare me çmimin 4229 lekë të reja. Çmimi real i kësaj fature është 7 herë më i lartë sesa shifra që pagoi kjo familje. Pa mburojën financiare të qeverisë, çmimi real në këtë faturë do t’i vinte në shtëpi 29 743 lekë ose 297 mijë lekë”, tha Balla.
Pra, shtoi Balla, “familjet dhe bizneset e vogla sot e paguajnë energjinë me të njëjtin çmim që ishte para krizës, vetëm 9.5 lekë për kwh, sepse qeveria paguan diferencën tjetër të çmimit përmes Paketës së Rezistencës Sociale. Paketa mundëson 28 miliardë lekë financim për mburojën e çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël”.
“Përmes Paketës së Rezistencës Sociale, ne kemi marrë masat që goditja nga kriza e çmimeve në tërësi të mos dëmtojë shqiptarët më në nevojë. Qeveria ka siguruar 3.3 miliardë lekë për të indeksuar pensionet e më shumë se 670 mijë të moshuarve. Qeveria do të kompensojë me 30 mijë lekë në muaj, për tre muaj rresht, rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet e skemës së ndihmës ekonomike”, tha Balla.
“Përmes paketës, mbështetja për fermerët me naftë pa taksa rritet në 1.45 miliardë lekë. Gjithashtu, 500 milionë lekë për të paguar diferencën e çmimit të biletës urbane dhe interurbane, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit. Ata që fitojnë më pak duhen mbështetur më shumë në kohë të vështira, ndaj u vendos që paga minimale të rritet në 320 mijë lekë që prej muajit prill, dy muaj nga sa ishte parashikuar”, theksoi Balla.
Gjithashtu, vijoi Balla, “zerohet taksa për pagat deri në 40 mijë, përgjysmohet taksa për pagat deri në 50 mijë, si dhe reduktohet taksa mbi pagat 150-200 mijë lekë. Ndonëse shpesh bëhen krahasime me vendet e rajonit kur vjen puna te taksat, nuk duhet harruar se në vendet e rajonit, qytetarët dhe bizneset paguajnë më shumë sesa paguhet në Shqipëri për disa taksa dhe kontribute”.
Konkretisht, tha Balla, “në Shqipëri, për 95 mijë biznese, TVSH-ja është 0, në Serbi është 20 % në Maqedoni, është 18 %. Tatimi mbi fitimin për bizneset e vogla në Shqipëri është 0, në Maqedoni është 10 %, në Serbi është 15 %. Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri janë 27,9%, në Maqedoni 42,5 %. Në Serbi 47.5 %. Norma e inflacionit, që ha dhe ajo pjesën e vetë sot nga pagat në Shqipëri, është 3.9, në Maqedoni është 7.6, në Serbi është 8.8”.
“Lidhur me pagën minimale 32 mijë lekë, në fund fare neto do të dilte 28 mijë në Shqipëri, 24 në Maqedoni, 22 në Serbi. Pra më shumë para në dorë për qytetarët shqiptarë me pagë minimale sesa për qytetarët e këtyre vendeve të rajonit. Këto të dhëna tregojnë qartë se ndërhyrja e qeverisë mundëson lehtësimin e barrës së taksave, duke u dhënë mundësinë shqiptarëve që të kenë më shumë të ardhura në xhep për familjet e tyre, veçanërisht në kohë të vështira si këto që po kalojmë. Paketa e Rezistencës Sociale, garanton mes të tjerash kompensimin për rritjen e çmimeve të shportës për pensionistët sipas kategorive të përcaktuara, familjet në skemën e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar”, tha Balla.
“Qeveria ofron 30 mijë lekë çdo muaj, për tre muaj rresht për këto kategori, sepse ne gjithmonë jemi udhëhequr nga ndjeshmëria për nevojat e qytetarëve të zakonshëm dhe do të vazhdojmë po me këtë qasje, veçanërisht në ditë të vështira si këto të sotmet”, theksoi Balla.
“Buxheti 2022, u rrit me 1,5 miliardë lekë për programin e ndihmës ekonomike, duke rritur me 2 herë masën e ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje në skemë, me 3 herë masën e ndihmës ekonomike për fëmijët jetimë dhe gratë e dhunuara dhe 10 % masën e ndihmës ekonomike për të gjithë familjet e tjera përfituese në skemë.
“Gjate pandemisë, Paketa e Solidaritetit përfshiu mbështetjen për të gjitha familjet përfituese në skemën e ndihmës ekonomike duke dyfishuar masën e mbështetjes gjatë 6 muajve të vitit 2021 për të gjithë familjet përfituese”, deklaroi Balla.
/r.e/























