TIRANË, 17 mars /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, jemi në një moment kyç për të avancuar kërkesën tonë për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, mundësisht brenda termit të Presidencës franceze të Këshillit të BE-së.
Duke folur në seancën plenare lidhur me raportin e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, tha se, “ky raport njëvjeçar i aktivitetit të KKIE pasqyron me vërtetësi të gjithë atë punë madhore që është bërë përgjatë vitit 2021, nga qeveria shqiptare, struktura negociuese për negociatat e aderimit dhe administrata që punon për çështjet e integrimit evropian”.
“Gjatë vitit 2021 kemi marrë disa vlerësime të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian, si dhe nga Këshilli i BE-së në dhjetor 2021, se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit, çka pritet të bëhet nëpërmjet Konferencës së parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri”, tha Xhaçka.
“Për shkak të një artifice të krijuar nga një mosmarrëveshje mes dy fqinjëve të Shqipërisë, po e mban pezull edhe vendimmarrjen për Shqipërinë në Këshill. Me të dyja vendet në fjalë ne gëzojmë marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera reciprokisht. Gjithmonë kemi lobuar që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos pengojnë avancimin e vendeve kandidate në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Kemi lobuar përherë që perspektiva e integrimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë e qartë dhe konkrete dhe procesi të jetë i besueshëm dhe i parashikueshëm”, tha Xhaçka.
“Ashtu si ky Kuvend i nderuar e ka përjetuar këtë moment tejet delikat gjeopolitik në Evropë, ku në fakt dy botëkuptime të ndryshme vlerash dhe parimesh po përballen dhe një vend i pafajshëm, vetëm sepse guxoi të zgjedhë të ardhmen e vet, po vuan në breshërinë e bombave dhe bota ka ndaluar së frymuari nga krimet e pakuptimta që po kryhen në Ukrainë prej agresorit rus”, shtoi Xhaçka.
“Në këtë përballje madhore, po në fakt edhe shumë më herët, ashtu si ne kishim paralajmëruar, rajoni i Ballkanit Perëndimor është teatri i dytë më i rëndësishëm i pasojave të atij konflikti”, tha Xhaçka.
Prandaj, nënvizoi Xhaçka, “më shumë se kurrë, sot e në këtë kohë sfidash, do të duhet ta kërkojmë me forcë që politika e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor të rikthehet në vëmendjen e Bashkimit Evropian. Sepse kjo politikë zgjerimi është një policë sigurimi për BE-në në radhë të parë, e së dyti, për vetë rajonin, i cili ende nuk i ka të shëruara plagët e të shkuarës së afërt”.
/r.e/





















