TIRANË, 15 mars/ATSH – I. Vata/ Policia Rrugore e Shkodrës vazhdon me masa të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo drejtojnë mjetet në mënyrë të parregullt.
Gjatë javës që lamë, Policia Rrugore, si rezultat i shtimit të kontrolleve me radar dhe dragera, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët të cilët kanë denoncuar në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, shkeljet e konstatuara, nga shërbimet e Policisë Rrugore është arrestuar 1 shtetas dhe proceduar në gjendje të lirë 4 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Rrugore gjatë javës janë marrë 726 masa administrative si më poshtë.
“183 masa administrative për parakalim të gabuar. 57 masa administrative për mos respektim të normave të shpejtësisë. 8 masa administrative për përdorim të aparateve telefonike. 11 masa administrative për mos përdorim të rripit të sigurimit. 10 masa administrative për përdorim të pijeve alkoolike. 23 masa administrative për mos përdorim të kaskave mbrojtëse. 86 masa administrative për pushim mjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore. 348 masa administrative për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor”, thuhet në njoftim.
Policia Rrugore e Shkodrës falenderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë në 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
/r.e/




















