TIRANË, 3 mars/ATSH/ Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi vendimin për lejimin e shpërndarjes së fitimit për vitin 2020 të shoqërive financiare.
Bordi i AMF-së vendosi pezullimin e shpërndarjes së fitimeve për vitin 2020 me anë të një vendimi në prill të vitit 2021.
Autoriteti, gjatë monitorimit të zhvillimeve në tregun e sigurimeve, konstaton se tregu i sigurimeve ka arritur të përballojë situatën e vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19 dhe paraqitet i qëndrueshëm në terma të treguesve kryesorë të shëndetit financiar.
Referuar të dhënave të AMF, për vitin 2020 kompanitë e sigurimeve realizuan një fitim neto në vlerën e 1.04 miliardë lekëve. Për vitin 2020, totali i aktiveve në tregun e fondeve të investimeve, sigurimeve dhe fondeve të pensioneve private vullnetare u rrit me 1 %, duke arritur vlerën 110 miliardë lekë, ose 6.8 % e PBB-së.
Tregu i sigurimeve shënoi rënie të të ardhurave me 5.73 % dhe rritje të pagesave të dëmeve me 17.45 %, kryesisht si rrjedhojë e dëmshpërblimeve në kategorinë e sigurimit nga zjarri dhe forcat e natyrës.
Tregu i fondeve të investimeve u rrit me 0.9 % në vitin 2020, duke arritur vlerën neto të aktiveve 67.4 miliardë lekë. Edhe tregu i fondeve të pensioneve private u rrit me 23.8 %, por ende mbetet në një nivel modest për sa i përket vlerës së aktiveve neto prej 3.6 miliardë lekë.
Gjatë vitit 2020 u realizua pjesa më e madhe e pagesave të dëmshpërblimit të tërmeteve. Vlera e përgjithshme e dëmeve llogaritet në 4.7 miliardë lekë, për 6295 praktika të raportuara, ku deri në fund të vitit 2020 janë paguar 90 % e tyre.
/j.p/r.e/






















