Ballina Aktualitet

Basha: Shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Kreu i PD-së Lulzim Basha ka uruar 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke u shprehur se “kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit”.

Në mesazhin e tij, Basha thekson se “në përvjetorin e 14-të të shtetit të Kosovës, përulemi me nderim dhe mirënjohje para Presidentit Ibrahim Rugova, Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarëve, patriotëve, bijëve dhe bijave të kombit tonë që kanë kryer sakrificën më sublime për pavarësinë”.

Ai nënvizon se “kjo ëndërr e bukur lirie, është sot demokracia më e gjallë e rajonit që, pavarësisht vështirësive, gëzon tashmë rrënjët e forta të një shteti me institucione të konsoliduara dhe stabilitet politik, i cili punon me vullnet dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për integrimin euroatlantik”.

“Edhe në këto kohë sfiduese, jam krenar për arritjet e deritanishme dhe shpresëplotë për të ardhmen e Kosovës, me të cilën do të ecim vllazërisht përpara, drejt fatit tonë europian. Gëzuar Kosovë e dashur”, përfundon Basha mesazhin e urimit.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Kosova shënon 14-vjetorin e Pavarësisë
Artikulli tjetërMe ngritjen e flamurit nisin aktivitetet për festën e Pavarësisë