TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ 3 nëntori i vitit 1443 shënon një nga momentet e rëndësishme të historisë shqiptare, kur Gjergj Kastrioti u shkëput nga ushtria osmane dhe u kthye në atdhe, duke nisur një kapitull të ri të qëndresës kundër Perandorisë Osmane.
Gjatë qëndrimit në Nish, Skënderbeu braktisi ushtrinë osmane dhe, i shoqëruar nga 300 kalorës, mori rrugën drejt Krujës. Kthimi i tij shënoi fillimin e organizimit të rezistencës shqiptare, e cila do të merrte një dimension më të gjerë në vitet që pasuan.
I rritur dhe i formuar në oborrin osman, Gjergj Kastrioti u rikthye në trojet e tij për të rimarrë drejtimin e principatës së familjes dhe për të bashkuar princat shqiptarë në luftën kundër osmanëve.
Më 28 nëntor 1443, Skënderbeu mori kontrollin e Krujës dhe ngriti flamurin e Kastriotëve në kështjellë. Disa muaj më vonë, më 2 mars 1444, në Kuvendin e Lezhës, princat shqiptarë u bashkuan në një aleancë politike dhe ushtarake për t’iu kundërvënë zgjerimit osman.
Për 25 vjet, deri në vdekjen e tij më 17 janar 1468, Skënderbeu udhëhoqi qëndresën shqiptare, duke u bërë një nga figurat më të njohura të historisë së Mesjetës dhe një simbol i rezistencës edhe në kujtesën historike evropiane.
/r.e/























