TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo deklaroi se parashikimet e qeverisë me Paketën Fiskale 2027 nuk u përgjigjen problematikave ekonomike dhe sociale të vendit.
Në një deklaratë nga Kuvendi, Bozdo u shpreh se “Paketa Fiskale dhe projektbuxheti janë dy dokumentet më të rëndësishme politike dhe strategjike të qeverisjes, me anë të të cilave vendosen prioritetet ekonomike e shoqërore”.
Ai e cilësoi situatën ekonomike dhe shoqërore si një nga më të vështirat e dy dekadave të fundit, duke renditur si shqetësime mungesën e financimit për mjekët, ilaçet, pensionistët dhe arsimtarët, si dhe kërkesat e biznesit për ndërhyrje në ekonomi.
“Veçanërisht kur nuk ka para mjaftueshëm për mjekët, për ilaçet, për pensionistët dhe për arsimtarët; kur biznesi bëhet bashkë, si asnjëherë tjetër, dhe kërkon ndërhyrje urgjente në ekonomi që vetë ajo të mbijetojë”, u shpreh ai. Bozdo iu referua ndryshimeve fiskale, ndërsa tha se parashikohet rritje e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, si dhe e TVSH-së nga 20% në 21%, duke argumentuar se këto ndryshime do të sjellin rreth 85 milionë euro të ardhura shtesë për buxhetin.
Sipas Bozdos, rritja e të ardhurave nuk shoqërohet me një orientim të mjaftueshëm të shpenzimeve drejt sektorëve që kanë nevojë për mbështetje.
“Nuk financohet arsimi, kur e dimë mirë se mësuesit janë të keqpaguar, shkollat janë pa ngrohje e pa laboratorë cilësorë dhe kur ka nevojë që buxheti i arsimit të dyfishohet. Qeveria e ka programuar financimin me 2,5% të PBB-së. Në vitin 2013 premtoi ta çonte në 5%, por pas 14 viteve e ka lënë në harresë”, u shpreh Bozdo.
Edhe për shëndetësinë, deputeti i PD-së kërkoi më shumë financim, duke përmendur mungesën e barnave dhe materialeve mjekësore, si dhe largimin e mjekëve dhe infermierëve nga sektori.
“Sepse mjekët nuk pranojnë më t’u thonë pacientëve që shërbim nuk ka ngaqë mungojnë serumet, fashat dhe preparatet! Dhe kur këto probleme janë në Tiranë, a mund ta mendoni se si është situata nëpër zonat e largëta?!”, deklaroi ai.
Bozdo u ndal edhe te bujqësia, duke pretenduar se sektori po përballet me rënie të prodhimit dhe mungesë të mbështetjes financiare për fermerët.
“50 milionë euro në vit më shumë do të bënin diferencën, ose aq sa u fut në xhep për një tunel të vetëm”, tha ai.
Sa i përket industrisë dhe prodhimit vendas, Bozdo argumentoi se politikat fiskale nuk krijojnë kushte të favorshme për investime dhe konkurrueshmëri, duke paralajmëruar pasoja për prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë.
“Ne kemi nevojë për shumë më tepër investime në teknologji. Këtë mund ta bëjë sektori privat, gjithmonë nëse qeveria u lë ndonjë lek në xhep. Por lekët po ua merr dhe euron, me bekimin e saj, po e çon në gropë çdo ditë e më shumë”, u shpreh ai.
Bozdo e cilësoi vitin 2027 si një periudhë sfiduese për vendin, duke shprehu bindjen se Shqipëria ka nevojë për ndryshim politik.
/e.i/r.e/





















