Ballina Bota

PARIS – Dy piktura të panjohura të Monet dalin në ankand 

PARIS, 20 shtator /ATSH-AFP/ –  Dy piktura të Claude Monet, të cilat nuk janë ekspozuar kurrë më parë për publikun, do të shiten në Paris muajin e ardhshëm.

Veprat janë pjesë e koleksionit të familjes së pasur franceze Schlumberger, njoftoi shtëpia e ankandeve Sotheby’s.

Njëra prej tyre, “Iris”, është një vepër e madhe që Monet e realizoi në vitet e fundit të jetës së tij.

Ajo vlerësohet nga 22 deri në 30 milionë euro, një shifër që Sotheby’s e përshkruan si vlerësimin më të lartë të dhënë ndonjëherë për një pikturë të ofruar në ankand në Francë.

“Iris” ka një histori të veçantë.

Pas blerjes nga koleksionistja Jeanne Schlumberger (1889–1983), piktura ka qëndruar në shtëpinë e familjes në Paris dhe nuk është shfaqur publikisht.

Së bashku me “Iris”, në ankandin e 22 tetorit do të ofrohen edhe tri piktura të tjera të Monet.

Mes tyre është “Saule Pleureur” (Shelgu i qarë), e cila vlerësohet nga 9 deri në 12 milionë euro.

Shitja zhvillohet në një vit simbolik për admiruesit e Monet, pasi në vitin 2026 shënohet 100-vjetori i vdekjes së tij, më 5 dhjetor 1926.

Për këtë përvjetor janë planifikuar edhe dy ekspozita në Paris, që hapen në fund të shtatorit.

Ekspozitat janë “Monet, Painting Time” dhe “Stories of Landscapes, from Monet to Hockney”, të cilat do të përqendrohen në veprën e Monet dhe ndikimin e tij në historinë e pikturës së peizazhit. /Ad.Ab./

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHoxha: Shqipëria, angazhim të palëkundur për reforma dhe progres
Artikulli tjetër“Jo në emrin tim”, protestë në Vjenë kundër aktgjykimit të Speciales