Ballina Aktualitet

Hetimi i Bushkës nga SPAK, Rama: U informua nga TV, këto nuk janë shenja aspak të mira

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se marrja nën hetim, në kuadër të dosjes përmes së cilës u arrestua edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i kryetares së Komisionit të Ligjeve në Kuvend, deputetes së Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, pa u pyetur asnjëherë nga prokurori i posaçëm, nuk është një shenjë e mirë për drejtësinë.

I pranishëm në ceremoninë e 105-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë, Rama tha se Bushka ka dëgjuar nga televizionet dhe gazetarët se është nën hetim.

“Kryetarja e Komisionit të Ligjeve ka kërkuar të dëgjohet nga grupi parlamentar. Pse? Sepse e ka dëgjuar nga TV, jo nga prokurorët, por nga TV dhe gazetarë specialë që disponojnë dokumente që nuk i kanë as të akuzuarit se është person i dyshuar. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve?!”, tha Rama.

“Jo se mund të mos jetë e dyshuar, por të jetë person i dyshuar dhe ta marrë vesh nga TV se emri i figuron në aktakuzë, e të mos jetë pyetur asnjëherë?! Ej… Çfarë është kjo? Të mos i jetë dhënë asnjëherë e drejta e fjalës?!”, vijoi ai.

“Këto nuk janë shenja aspak të mira. Unë dua të shpresoj që nuk janë shenja që lidhen me simptomat e një sëmundjeje të vetëbesimit. E dua të besoj tek ajo që kam thënë dhe i qëndroj asaj: kjo nuk është republikë prokurorësh që është në materializimin e saj përfundimtar, sepse do të ishte autogoli më i madh që, në vullnet të mirë dhe me sy mbyllur, do të bënim duke transformuar drejtësinë”, u shpreh Rama ndër të tjera.

(vijon…)

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nuk ka asnjë forcë politike në Evropë që të ketë ndarë vetveten nga drejtësia, siç ka bërë PS
Artikulli tjetërRama: Procesin ndaj Veliajt do ta ndjekim me kujdes, kemi të drejtë të kërkojmë prova