TIRANË, 24 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët sot tha se PD ka paraqitur amendimin për njohjen e çdo dokumenti biometrik të vendit ku jetojnë emigrantët.
“Ne kemi përgatitur amendamentin dhe ne kërkojmë me ligj që këtyre t’u njihet çdo dokument biometrik i vendit ku jetojnë, qoftë letërnjoftim, qoftë pasaportë. Jashtë kësaj kërkese, ne nuk mund të pranojmë kurrë të përjashtojmë dy të tretat e emigrantëve dhe diasporës tonë nga votimi”, tha Berisha.
Berisha shtoi më tej se “ky është një akt i pashembullt, një diskriminim që nuk ka asnjë lloj baze”.
“Në këtë kontekst, unë ftoj edhe një herë, në radhë të parë KQZ që të bëjë demarshet zyrtare dhe të shprehet publikisht, sepse zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një detyrim madhor kushtetues”, tha Berisha.
Përndryshe, shtoi kryetari i Partisë Demokratike, “ne do të organizojmë demonstratat më të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit, por jo vetëm pranë ambasadave”.
“Pra, do të nisë një lëvizje e re e fuqishme e mosbindjes civile, kjo që është në Shqipëri, do të vazhdojë në botë. Nuk mund të pajtohemi kurrë me një frikë dhe absurditet që tregon regjimi ndaj votës së emigracionit”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje të gjithë emigrantëve dhe diasporës, që të përgatiten për protestat të fuqishme para selive të ambasadave.
I pyetur nëse PD do të kushtëzojë votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me amendamentin e propozuar për njohjen e çdo dokumenti biometrik të vendit ku jetojnë emigrantët, Berisha tha se “asnjë votim nuk bëhet për këtë çështje në parlament”.
“Ne e nisëm me seriozitetin më të madh këtë, në rast se u mohohet, nëse parlamenti nuk pranon, por sanksionon praktikën e mohimit të 2/3 të shqiptarëve të drejtën për të votuar, as bëhet fjalë që ne nuk pranojmë kurrë këtë. Është jashtë çdo lloj mundësie ta pranojmë këtë”, tha Berisha
I pyetur në lidhje me procesin e primareve, kryedemokrati tha se është një proces statutor.
“Qëndrimi i kryetarëve të PD, ose kërkesa për dorëheqjen e kryetarëve të PD, është statutore. Ka një nen në statutin e PD, i cili thotë: Në rast se kryetari i partisë do të kandidojë, ai duhet të japë dorëheqje para se të zhvillohen primaret”, tha Berisha.
Sa i takon drejtuesve politikë të qarqeve Berisha tha se “do të vendosë Këshilli Kombëtar, por lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare”.
/a.f/r.e/























