Ballina Flash

Jole: Hapet rruga e bllokuar nga dëbora, pas avarisë në linjën Guri i Kuq-Përrenjas

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Pas disa ditësh pune intensive, u arrit hapja e rrugës prej 15 km që ishte bllokuar nga dëbora, pranë Çervenakës. Prefekti i Qarkut Korçë organizoi punën së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile pas avarisë në linjën e transmetimit 110 kV Guri Kuq-Përrenjas, që kalon në terren të vështirë malor dhe me sasi të madhe dëbore.

Brigadat e OST Korçë, Elbasan dhe Tiranë punuan për dy ditë, duke lokalizuar defektin në Çervenakë, në lartësinë 1300 m mbi nivelin e detit dhe ku në disa zona sasia e dëborës arrinte në mbi 1.5 metra.

Prefekti Nertil Jole tha se kërkoi ndihmën e AKMC për hapjen e rrugës së bllokuar. Jole falenderoi drejtorin e AKMC, Haki Çako, për reagimin e menjëhershëm dhe dërgimin e një automjeti me zinxhirë nga Forcat e Armatosura për hapjen e rrugës.

Ndërkohë drejtori i OST Korçë, Elton Përmeti bën të ditur se pa energji mbetet vetëm Linja Guri i Kuq-Përrenjas, jo për shkak të defekteve por ngaqë shtyllat e tensionit janë të veshura me akull.

Prefektura Korçë dhe Emergjencat Civile janë duke monitoruar situatën për të mos patur asnjë problem në qarkun e Korçës. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNdryshime ligjore, Muzhaqi: Të rinjtë do të bashkëdrejtojnë me kryetarët e bashkisë
Artikulli tjetërVotimi nga jashtë, numri i regjistrimeve kalon shifrën 20 mijë