DOHA, 11 janar /ATSH-AFP/ – Një i dërguar i posaçëm i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump për Lindjen e Mesme u takua me kryeministrin e Katarit në Doha për të diskutuar përpjekjet e ndërmjetësimit për një armëpushim në Rripin e Gazës, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Katarit.
”Diskutimet e djeshme mes Steve Witkoff dhe kryeministrit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani u fokusuan në zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht në përpjekjet për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Negociatat indirekte midis Izraelit dhe Hamasit rifilluan fundjavën e kaluar në Katar për një armëpushim në Territoret Palestineze duke u fokusuar menjëherë në lirimin e pengjeve të marra në sulmin vdekjeprurës të lëvizjes islamike palestineze në territorin izraelit më 7 tetor 2023.
Ndërsa betimi i Donald Trump afrohet, presidenti në largim, Joe Biden raportoi të enjten “progres të vërtetë” në negociatat për lirimin e pengjeve të mbajtura në Gaza.
Para tij, sekretari i Shtetit, Antony Blinken kishte pohuar të mërkurën gjatë një vizite në Paris se një marrëveshje ishte “shumë afër” për një armëpushim dhe për lirimin e pengjeve.
Nga ana e tij, Donald Trump së fundmi premtoi “ferrin” për rajonin, nëse pengjet nuk do të liroheshin përpara kthimit të tij në pushtet më 20 janar.
Pavarësisht përpjekjeve intensive diplomatike të udhëhequra nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, asnjë armëpushim nuk është arritur në Gaza që nga armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit 2023, i cili lejoi lirimin e 105 pengjeve në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli./ a.jor.






















