TIRANË, 10 janar /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit një grup nxënësish me të cilët bisedoi për sigurinë në shkolla, sigurinë kibernetike dhe sigurinë rrugore.
Proda u shpjegoi nxënësve rëndësinë dhe funksionet shumëdimensionalë të punonjësve të Policisë në shoqëri.
“Akademia e Sigurisë ofron mundësi të artë për maturantët që dëshirojnë të bashkohen me Policinë e Shtetit, duke i dhënë një mision të veçantë të ardhmes së tyre”, u shpreh Proda.
Gjatë vizitës në DPPSh, në kuadër të nismës “Dyer të hapura për nxënësit dhe qytetarët”, nxënësit shfaqën kuriozitet dhe drejtuan pyetje mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit, duke u ndalur te drejtimet që lidhen me hetimin e krimeve kibernetike, teknologjinë e informacionit, komandimin dhe drejtimin, sigurinë rrugore, si dhe marrëdhënien me median dhe qytetarët.
Drejtuesit e këtyre strukturave shoqëruan nxënësit gjatë vizitës dhe iu përgjigjën me kënaqësi pyetjeve të tyre.
Aktivitete të tilla, të organizuara në kuadër të 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, janë zhvilluar në të gjitha drejtoritë e Policisë në 12 qarqet e vendit.
Vizitorët specialë u mirëpritën nga drejtorët e drejtorive dhe sektorëve të ndryshëm në qarqe. /j.p/























