Ballina Flash

Ikona e Pagëzimit nga Joan Çetiri, në ikonostasin e Muzeut Ikonografik “Onufri”

TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në Ditën e Ujit të Bekuar, që festohet me madhështi në qytetin e Beratit prej shekujsh, Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat paraqiti në rrjetet sociale ikonën e Pagëzimit.

Ikona e Pagëzimit, që paraqet një ndër skenat më të njohura biblike, është realizuar rreth viteve 1812-1814 nga Joan Çetiri. Ajo është pjesë e ikonave të vogla (festive) në ikonostasin e Katedrales Fjetja e Shën Mërisë, sot Muzeu Ikonografik “Onufri”.

Ikona paraqet pagëzimin e Jezu Krishtit nga dora e Johan Pagëzorit mbi lumin Jordan.
Në qendër kemi të kompozuar Krishtin në këmbë brenda në lumin Jordan, i vendosur mbi një panel të kuq që shtyp një përbindësh, simbol i dominimit mbi të keqen.
Në të majtë qëndron Pagëzori me veshjen e tij identifikuese dhe në të djathtë dy engjëj, që përforcojnë idenë e pranisë hyjnore.

Në pjesën e sipërme të ikonës dominon peizazhi dhe rrezatimi i Shpirtit të Shenjtë mbi Krishtin. Skena ka një atmosferë dhe kompozim surrealist dhe modern.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNis asfaltimi i rrugës në Arshi Lengo, Golemi: Lehtësim i lëvizjes dhe nxjerrjes në treg të prodhimeve
Artikulli tjetërViti 2025 nis mbarë për legjionarët shqiptarë, Muçi shënon gol, Seferi dhe Bajrami japin asiste