Ballina Ekonomi

Aksi Thumanë-Kashar nga sot me pagesë

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Aksi Thumanë-Kashar nga dita e sotme është me pagesë.

Gjashtë muaj nga hapja e këtij aksi, kompania koncensionare ka nisur aplikimin e tarifave që nisin nga 2,5 euro, por që diferencohet sipas kategorisë së automjeteve.

Në pikat e pagesës, konvertimi nga euro në lekë do të bëhet në bazë të kursit të Bankës së Shqipërisë, në këtë mënyrë, një makinë e vogël do të paguajë 250 lekë për kalimin në autostradën Thumanë – Kashar.

Makinat me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2,2 metra do të paguajnë 620 lekë dhe mjetet me 4 ose më shumë akse do të paguajnë 870 lekë.

Ndërkohë tarifa që do të paguhet nga çdo automjet që përshkon Rinas – Kashar dhe anasjelltas varion nga 80 lekë për makinat e vogla në 270 lekë për automjetet e tonazhit të rëndë. Ndërsa për aksin Rinas – Thumanë dhe anasjelltas varion nga 120 lekë për triçikël në 600 lekë për automjetet e tonazhit të rëndë.

Tarifat do të rishikohen çdo vit sipas të luhatjeve të kursit të këmbimit.

Rruga Thumanë-Kashar është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe u hap për qarkullim në 30 qershor 2024.  Segmenti ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe është autostrada e parë e Kategorisë A, që nënkupton jo vetëm standarde evropiane të ndërtimit të rrugës, por edhe një limit shpejtësie tjetër nga ai që kanë akset e tjera rrugore të vendit.

Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës. Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 130 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura, 3 mbikalime si dhe korsi emergjencash në secilën anë. /Euronews Albania/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTuristja austriake humbi në Karaburun, gjendet nga Policia pas 24 orëve
Artikulli tjetërGAZA – Më shumë se 40 të vrarë në sulmet e fundit izraelite