TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot të zgjasë deri në 31 dhjetor 2025 mbrojtjen nga Garda e Republikës të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sipas vendimit të marrë sot nga qeveria, Garda e Republikës do të vijojë të mbrojë kryetarin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarët e këtij komisioni edhe për një vit.
Sipas vendimit, i cili mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës dhe në ligjin, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e datës së përfundimit të mbrojtjes nga Garda e Republikës së kryetarit të KPK dhe anëtarëve të KPK. Në vendim parashikohet që kjo mbrojtje do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2025.
Për realizimin e vendimit, ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/a.f/r.e/























