Ballina Flash

Restaurohet banesa e Ramiz Bekteshit, pasuri kulturore e Shkodrës

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau pamjet e banesës së Ramiz Bekteshit, pas përfundimit të restaurimit të fasadës. Kjo banesë është pasuri kulturore e kategorisë së parë.

Banesa e Ramiz Bekteshit, e shpallur pasuri kulturore në vitin 1977, iu nënshtrua një ndërhyrjeje të kujdesshme restauruese, për të ruajtur autenticitetin dhe vlerat historike.

Banesa kaloi nëpër këto faza ndërhyrjeje:

  • Heqja e suvasë së vjetër në të gjithë sipërfaqen.
  • Pastrimi dhe heqja e gurëve të rrezikshëm, si dhe pastrimi i zgavrave nga suvaja ekzistuese.
  • Heqja e çapave të drurit nën trarët e çatisë dhe zëvendësimi i tyre me të rinj.
  • Larja e të gjithë sipërfaqes me ujë të bollshëm për të pastruar pluhurin dhe përgatitur fasadën për llaçin e ri.
  • Suvatimi me llaç gëlqereje, pas mbushjes së zgavrave ku mungonin gurët.
  • Lyerja finale e fasadës me gëlqere dhe e trarëve mbështetës me broninë.

Ky restaurim përfaqëson një përpjekje të përbashkët për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe për ta përcjellë atë si një vlerë të çmuar për brezat e ardhshëm. Ruajtja e këtij objekti kulturor ka rëndësi të veçantë, duke qenë se është një dëshmi e gjallë e artit dhe arkitekturës tradicionale shqiptare. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Misteri mbulon sulmin e Magdeburgut
Artikulli tjetërMedia italiane: Tirana surpriza e madhe turistike përtej Adriatikut