Ballina Flash

“Marubi” sjell ekspozitën e fotografit amerikan Gregory Crewdson

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Muzeu Marubi dhe “Gallerie d’Italia”, muzeu i Intesa Sanpaolo-s çelin ekspozitën “Eveningside. Gregory Crewdson”, kuruar nga Jean-Charles Vergne.

Gregory Crewdson (1962, Brooklyn, SHBA) është një fotograf i njohur ndërkombëtarisht dhe nga artistët me më shumë ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Karriera artistike e Gregory Crewdson shtrihet në më shume se tre dekada. Metodologjia e tij e punës, me ekipin e ndriçimit, e ngjashme me realizimin e filmave, kërkon të rrëfejë një histori përmes një imazhi të vetëm që bën bashkë gjuhën e fotografisë dhe të kinemasë, me referenca të fushës së filmit, televizionit dhe formave të tjera vizuale.

Ekspozita që vjen në “Marubi”, prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022. Ekspozita “Eveningside” fillimisht u prezantua në Torino të Italisë, më pas në Francë e Finlandë dhe tashmë mbërriti në Shkodër. Kjo ekspozitë nxit një dialog ndërkombëtar, që merr shkas nga publikimi i imazheve të jashtëzakonshme të Gregory Crewdson.

Projekti i ekspozitës është realizuar falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSeanca e përbashkët, Konjufca: Dëshmojmë unitetin tonë përballë sfidave politike dhe gjeopolitike të sigurisë
Artikulli tjetërRisitë dhe sanksionet në ligjin e ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale”