LONDËR, 19 dhjetor /ATSH-AFP/- Britania e Madhe njoftoi sot një paketë me vlerë 225 milionë paund (286 milionë dollarë) – një ndihmë e re ushtarake për Ukrainën për vitin e ardhshëm, duke përfshirë dronët, anijet dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.
Vendimi erdhi pasi sekretari i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, John Healey vizitoi dje Kievin, duke zhvilloi bisedime me homologun e tij ukrainasm Rustem Umerov duke u zotuar të rrisë mbështetjen britanike për Ukrainën në vitin 2025.
Healey u zotua se mbështetja e Britanisë së Madhe për Kievin ishte “e hekurt” dhe se Londra do të qëndronte gjithmonë pranë për të siguruar që Putini të mos fitonte.
Në korrik, qeveria e re laburiste u zotua të ofronte 3 miliardë paund në vit – si ndihmë ushtarake për Ukrainën deri në 2030-2031.
“Paketa e re do të përfshijë pajisje me vlerë 92 milionë paund për të forcuar marinën e Ukrainës, duke përfshirë anije të vogla, dronë zbulimi dhe anije sipërfaqësore pa ekuipazh”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
Gjithashtu, 68 milionë paund të tjera do të përdoren për pajisjet e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë radarët, dhe 1000 sisteme të luftës elektronike kundër dronëve me vlerë 39 milionë paund – që do të furnizohen për ushtrinë ukrainase.
Healey tha se Britania e Madhe do të ofronte gjithashtu një program trajnimi për ushtarët ukrainas të drejtuar me aleatët kryesorë në tokën britanike, të njohur si “Operacioni Interflex”. //a.i/























