Ballina Bota

BRUKSEL – Kallas premton progres të vërtetë për zgjerimin me Ballkanin Perëndimor

BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-AFP/ – Shefja e re e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, ka premtuar se gjatë pesë viteve të ardhshme do të ketë një progres të vërtetë në zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkan, një proces i gjatë i ringjallur pas pushtimit rus të Ukrainës.

Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia: zgjerimi i BE-së në këtë pjesë perëndimore të Ballkanit, që ka pak më pak se 18 milionë banorë, ka qenë një debat që vazhdon prej 20 vitesh.

Gjatë gjithë këtyre viteve, sipas një diplomati në Bruksel, diskutimet kishin ngecur.

Por, situata ndryshoi me pushtimin rus të Ukrainës që rifilloi procesin.

”Ne duam të shohim përparim të vërtetë në procesin e zgjerimit gjatë këtij mandati pesëvjeçar që kemi”, siguroi Kaja Kallas në fillim të samitit që mblodhi vendet e Ballkanit dhe zyrtarët evropianë në Bruksel.

Evropianët kanë vënë në tryezë gjashtë miliardë euro për të nxitur rritjen në këto gjashtë vende deri në vitin 2027.

Në Bruksel, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, nënvizoi se vendi i tij është më i avancuari në rrugën e gjatë drejt integrimit në BE.

”Hyrja e Malit të Zi do të dërgonte një sinjal shumë të qartë dhe pozitiv për të demonstruar se politika e zgjerimit të Evropës është ende e gjallë”, shtoi ai.

“Ne i përkasim të njëjtës familje evropiane. Për të gjithë ne zgjerimi është prioritet”, theksoi ndërkohë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Por, procesi i zgjerimit i ndan të 27-ët, me disa shtete që në vend të kësaj bëjnë thirrje për forcimin e Bashkimit Evropian në formën e tij aktuale.

Krahas Ballkanit, Ukraina dhe Moldavia janë gjithashtu kandidate për anëtarësim në BE në kontekstin e pushtimit rus./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratohet ndërtimi i impiantit fotovoltaik në Roskovec me kapacitet 170 MW
Artikulli tjetërCertifikohet gjenerata e re e audituesve, Malaj: Forcojmë funksionin e auditimit të brendshëm