Ballina Aktualitet

Konferenca e Tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE hap grup-kapitullin “Marrëdhëniet e Jashtme”

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Takimi i tretë i Konferencës së anëtarësimit me Shqipërinë në nivel ministror u mbajt sot në Bruksel, njoftoi zyra për shtyp e Këshillit Evropian.

Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Takimi shërbeu për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme, duke përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:

Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme

Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes

BE-ja vendosi gjithashtu piketa për mbylljen e mundshme të këtyre kapitujve.

Kjo pason hapjen e grupit të parë, mbi ‘Themeloret’, në Konferencën e Anëtarësimit me Shqipërinë më 15 tetor 2024.

Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian u shpreh se, “sot mbajtëm Konferencën e dytë Ndërqeveritare me Shqipërinë nën Presidencën Hungareze, duke bërë një tjetër hap konkret përpara në procesin e anëtarësimit të saj. Ky progres pasqyron fokusin tonë të fortë në integrimin e Ballkanit Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian”.

Monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave.

Konferenca e anëtarësimit do të kthehet në këtë grup-kapitull në një moment të përshtatshëm.

Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt e negociatave ndahen në gjashtë grupime tematike:

Themeloret, Tregu i brendshëm, Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme, Burimet, bujqësia dhe kohezioni, Marrëdhëniet e jashtme.

Negociatat për grupin Themeloret janë të parat që hapen dhe të fundit që mbyllen, dhe progresi nën këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Nuk ka kapitull apo paragraf të lehtë në negociata, kemi bërë zgjedhje të qartë si komb
Artikulli tjetërARKEOLOGJI – Zbulimi i amuletit 1800-vjeçar mund të ndryshojë historinë e Krishterimit përgjithmonë