TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Flamingo i gjetur në Lushnjë disa ditë më parë, pasi mori trajtimin e duhur shëndetësor pranë qendrës së rikuperimit të shpendëve, në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta” u la e lirë në habitatin e saj natyror.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot pamje nga lënia e lirë e flamingos në parkun kombëtar “Divjakë-Karavasta”.
“Imazhe të mrekullueshme na vijnë nga stafi i AdZM Fier, në të cilën Flamingo, e gjetur pak ditë më parë, pasi ka marrë trajtimin e duhur shëndetësor është lënë e lirë në habitatin e saj natyror”, tha AKZM në një postim në rrjetet sociale.
Pas sinjalizimeve të marra javën që kaloi për një flamingo të plagosur të gjetur në Lushnjë, stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier u kujdes menjëherë për t’i ardhur në ndihmë. Flamingo u transportua pranë qendrës së rikuperimit të shpendëve, në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta”, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri ku trajtohen shpendët të sëmurë ose të plagosur.
/k.s/a.f/






















