BERLIN, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz u bëri thirrje bizneseve gjermane të investojnë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta – gjatë një forumi sot në Berlin.
“Nëse investoni në Ukrainë sot dhe në vitet në vijim, ju po investoni në një anëtar të ardhshëm të BE-së”, tha Scholz.
“Pas luftës, ne do të shohim ritme rritjeje dhe mundësi zhvillimi në Ukrainë, të cilat i njohim vetëm nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që janë anëtarësuar në BE në dy dekadat e fundit”, tha Scholz në forumin për biznesin gjermano-ukrainas.
“Rreth 2 000 kompani gjermane janë aktive në Ukrainë. Shumë prej tyre po planifikojnë investime shtesë. Ato po ndihmojnë në rindërtimin e vendit”, tha ai.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal bëri thirrje për një bashkëpunim më të fortë midis dy vendeve në fushën e teknologjive digjitale, bujqësisë, mbrojtjes dhe energjisë.
“Me Gjermaninë, ne kemi kompanitë më të mëdha të përbashkëta në sektorin e mbrojtjes”, tha Shmyhal, duke theksuar projektet për riparimin dhe mirëmbajtjen e tankeve, prodhimin e automjeteve moderne luftarake të këmbësorisë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij që asnjë kompani gjermane nuk ishte larguar nga tregu ukrainas pas fillimit të luftës në 2022.
Për sa i përket potencialit ekonomik të vendit të tij, ai theksoi rëndësinë e rezervave të tokës së rrallë dhe metaleve si dhe kapacitetet e mëdha të depozitimit të gazit natyror.
“Ne kemi objektet më të mëdha nëntokësore të depozitimit të gazit në Evropë, me mbi 30 miliardë metra kub, të cilat mund të bëhen të sigurta për gazin në Evropë”, tha Shmyhal. //a.i/























