Ballina Aktualitet

Ambasada britanike uron Dumanin: Sukses në luftën ndaj korrupsionit

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Ambasada britanike në Tiranë ka uruar sot kreun e SPAK, Altin Dumani, për njohjen si Kampion Kundër Korrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ambasada thekson se, ky çmim prestigjioz nxjerr në pah përpjekjet e jashtëzakonshme të Dumanit në drejtimin e punës së SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kjo është thelbësore për progresin e reformave të Shqipërisë dhe për të siguruar besimin e qytetarëve të saj, nënvizon Ambasada britanike.

“Nën drejtimin e z. Dumani, SPAK ka vepruar me integritet, përgjegjshmëri dhe në interes të shtetit ligjor. Përkushtimi i tij ka mbështetur SPAK-un për të ofruar një performancë të qëndrueshme dhe të suksesshme në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të fuqishme kriminale”, thuhet në një postim të Ambasadës britanike.

Ambasada thekson se, “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbetet e vendosur për të mbështetur SPAK-un dhe reformat në drejtësi të Shqipërisë. Nëpërmjet bashkëpunimit tonë të ngushtë, ne do të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, të luftojmë krimin e organizuar dhe të forcojmë sundimin e ligjit”.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMV – Gjykata Kushtetuese shtyn seancën për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve
Artikulli tjetërShëtitorja e Plazhit të Durrësit, Rama: Investim në shërbim të turistëve