UASHINGTON, 10 dhjetor /ATSH-AFP/- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u kërkoi sot të gjitha vendeve të mbështesnin procesin politik gjithëpërfshirës në Siri – duke thënë se SHBA-ja përfundimisht do të njihte qeverinë nëse ajo i përmbushte standardet.
“Populli sirian do të vendosë për të ardhmen e Sirisë. Të gjitha kombet duhet të zotohen të mbështesin procesin gjithëpërfshirës dhe transparent dhe të vetëpërmbahen nga ndërhyrjet e jashtme”, tha Blinken në një deklaratë.
“SHBA-ja do të njohë dhe mbështesë plotësisht qeverinë e ardhshme të Sirisë që do të rezultojë nga ky proces”, tha Blinken.
Blinken tha se qeveria e ardhshme e Sirisë duhet të ishte e besueshme, gjithëpërfshirëse – pasi rebelët islamikë rrëzuan Bashar al-Assad, një anëtar i pakicës alavite që udhëhoqi një diktaturë laike.
Duke paraqitur prioritetet e SHBA-së, Blinken tha se qeveria e re duhej të përmbushte zotimet e qarta për të respektuar plotësisht të drejtat e pakicave dhe të lejonte rrjedhën e ndihmës humanitare.
Ai tha gjithashtu se SHBA-ja donte që qeveria e ardhshme të parandalonte që Siria të përdorej si një bazë për terrorizmin ose të paraqeste një kërcënim për fqinjët e saj – dhe të siguronte që çdo rezervë e armëve kimike ose biologjike të merrej dhe shkatërrohej në mënyrë të sigurt.
Gjatë luftës brutale civile siriane, SHBA-ja tha në mënyrë të përsëritur se Assad humbi besueshmërinë, por nuk i kishte dhënë përparësi rënies së tij, pasi gjithashtu i shikonte me dyshim rebelët islamikë. //a.i/






















