TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ Në diskutimet e ditës së sotme, në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë u shqyrtua nisma e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për “Përcaktimin e kushteve dhe kritereve të minimumit jetik në Republikën e Shqipërisë.
Deputetja e PD-së, njëherësh edhe një nga nismëtaret e këtij projektligji për minimumin jetik në Shqipëri, Albana Vokshi u shpreh se “propozimi është bërë nga 14 deputetë të opozitës, është prezantuar nga Sorina Koti, Emilia Koliqi dhe unë. 520 ditë e keni shkelur rregulloren, e keni mbajtur këtë propozim në sirtar, shkelje flagrante e të drejtave kushtetuese të opozitës për të prezantuar nisma ligjore. Keni sjellë brenda ditës, të papërgatitura ligjet, duke e futur në fshehtësi, pa e shkruar fare. Unë e kam sjellë ka 520 ditë kush e mban përgjegjësinë, kush nuk e ka proceduar këtë projektligj që është shkelur Kushtetuta? Çfarë thotë Edi Rama bëhet në komision nga mazhoranca, e keni grisur Kushtetutën dhe mos na u bëni si dashnorë të rregullores”.
Kryetarja e këtij komisioni, deputetja e PD-së, Zheni Gjergji u shpreh se “ky projektligj nuk gjen zbatim dhe nuk miratohet sipas përgjigjes së Këshillit të Ministrave dhe si pasojë nuk do të jetë pjesë e programit të buxhetit 2025”.
“Edhe pse propozimet e kolegëve të mi kanë qenë të qarta në përcaktimin e minimumit jetik, Këshilli i Ministrave e ka hedhur poshtë, por nuk ka ofruar asnjë alternativë mbi këtë problematikë të cilën ligji në fjalë e adreson me ndryshimet e parashikuara. Materiali duhet të përmbante disa argumente përmbajtësore, për mospërcaktimin e minimumin jetik ndaj varfërisë ekstreme dhe atë relative, duke patur parasysh se terminologjia është pjesë e ligj-formësimit në shumë dokumente zyrtare të INSTAT. Sipas MEKI-t, ky projektligj kërkon të ndryshojë elementë që kanë të bëjnë me parimet e legjislacionit të sigurimeve shoqërore, por ky bie ndesh me nenin 3 të projektligjit që minimumi jetik nuk ka mbivendosje mbi parimet apo vetë dispozitat e ligjit 77/03 datë 11/05/1993 për sigurimet shoqërore të ndryshuar”, tha Gjergji.
Nënkryetarja e këtij komisioni, Klodiana Spahiu, deputete e PS-së, u shpreh se relacioni i Gjergjit ishte tërësisht politik, ndërsa “propozimet e ardhura nga qeveria që nga viti 2013, në 11 vite qeverisje kanë qenë rritje e pagës minimale, pagesës së papunësisë, prezantimi i pensionit social, trefishimi i pagesën së ndihmës ekonomike etj.”.
Deputetja Pitushi u shpreh se “ndihma ekonomike në 2013 ka qenë 8 mijë lekë të vjetra, sot është 110 mijë lekë dhe 120 mijë lekë maksimumi. Sot është 85% mbulimi me pagesë për personat në nevojë, dikur ishin 22% të mbuluara. Pagesa e PAK-ut, deri në 45 mijë lekë të reja për aftësinë e kufizuar për personat me status. Ne i referohemi politikave të punësimit, ne nuk duam që të japim një lëmoshë, si një pagesë elektorale e ndihmës ekonomike, sot e kemi një strukturë të mirëfilltë.
Punësimi para 2013 ka qenë 44%, sot e kemi 57%. Politikat që janë bërë nga mazhoranca kanë sjellë punësim më dinjitoz”.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili tha në fjalën e tij se “minimumi jetik nuk ka vend për brohorima, por një minimum për të jetuar. Pensionistë me mesatare 180 mijë lekë të vjetra dhe nuk flasim për mijëra të tjerë në fshat, minimum jetik do të thotë baza e ushqimeve dhe veshjeve. Varfëria ka udhëhequr një fenomen që është publik tani, të të dhënat vijnë nga institucionet ndërkombëtare. Ky është fakt”.
Propozimi u rrëzua me votat e mazhorancës, teksa u votua pro nga gjithë përfaqësuesit e opozitës në komision.
/a.f/r.e/






















