TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Ruajtja e peizazhit dhe ujërat e Liqenit të Prespës është në qendër të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ditët e fundit nga bashkitë e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, që lagen nga ky liqen.
Sipas kësaj marrëveshje bashkitë duhet të ndërmarrin veprime të përbashkëta dhe të koordinuara me njëra-tjetrën për çështje të caktuara, si dhe të angazhohen për të plotësuar detyrimet që vite më parë kanë vendosur bashkë qeveritë përkatëse.
Për palën shqiptare marrëveshja u firmos nga kryetari i bashkisë Devoll, Eduard Duro dhe kryetari i bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski.
Ceremonia e nënshkrimit të këtij memorandumi u mbështet nga pjesëmarrja e Ambasadorit të Bashkimit Europian për Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, menaxherit të UNDP në Greqi dhe të institucioneve të qeverisjes qendrore dhe vendore të Greqisë.
Kryetarët e katër bashkive ndërmorën një hap të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, si edhe për të promovuar një menaxhim të resurseve natyrore dhe zhvillimin e rajonit të Liqeneve të Prespës.
Dy prej bashkive pjesë e marrëveshjes janë shqiptare. Ajo e Pustecit që laget nga ujërat e Prespës së Madhe dhe bashkia e Devollit, pjesë e së cilës është një pjesë e Prespës së Vogël.
Liqeni i Prespës është një nga zonat tërheqëse turistike të Ballkanit, përveç bukurive të jashtëzakonshme natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft të pasur.
/k.s/ /a./g























