Ballina Aktualitet

Basha nga takimi i IDU në SHBA: Shqipëria, nevojë jetike partnerët e saj

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë takimit në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë në Uashington, theksoi rëndësinë e partneritetit me SHBA-në, PPE-në dhe Britaninë e Madhe për të adresuar sfidat e sigurisë, luftimin e korrupsionit dhe lidhjet e politikanëve me krimin.

Basha gjithashu zhvilloi takime me figura të larta ndërkombëtare, përfshirë drejtues të PPE-së dhe kongresmenë amerikanë, duke nënvizuar nevojën për angazhim të përbashkët në mbështetje të demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

“Në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë në Uashington, patëm mundësinë të dëgjojmë vizionin e administratës së ardhshme të SHBA-së, PPE-së dhe Britanisë së Madhe, mbi kërcënimet globale ndaj demokracisë dhe lirisë, si edhe nevojën e angazhimit të përbashkët për parandalimin, paqen dhe stabilitetin”, theksoi Basha në një postim sot në rrjetet sociale.

Gjatë këtij forumi, shkroi Basha, “zhvillova biseda dhe takime të veçanta me drejtues të ndryshëm, duke përfshirë kreun e grupit parlamentar të PPE-së dhe presidentin e këtij grupi, kryetaren e re të konservatorëve britanikë, Kemi Badenoch, kongresmenë, eurodeputetë dhe drejtues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Basha u shpreh se, “Shqipëria ka nevojë jetike për miqtë dhe partnerët e saj, për të adresuar sfidat e sigurisë, për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e politikanëve me krimin, për të zhvilluar ekonominë dhe për të konsoliduar demokracinë”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUSI – Putin: Raketat ”Oreshnik” në Bjellorusi nga viti i ardhshëm
Artikulli tjetërHelikopteri i tretë “Cougar” rikthehet në gatishmëri të FA