Ballina Flash

Rama: Nuk ndodh më që mësuesit të punësohen jashtë profilit

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në takimin këshillues në shkollën “Halit Coka”, në Kamzë me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok tha sot se “e gjetëm shkollën pa asnjë orë edukimi fizik, sepse edukimi fizik ishte hequr edhe s’kishte as mësues më të edukimit fizik”.

“Po dhe krijimi i ekipeve sportive në shkolla, Kamza ka shkëlqyer në këtë aspekt. Ka dhe më duket skuadër kampione. Po dhe oficerët e sigurisë që nuk kanë ekzistuar, po dhe psikologët që nuk kanë ekzistuar. Po edhe mbi të gjitha, garancia për mësuesin që nuk ka ekzistuar. Sot mësueset dhe mësuesit nuk e kanë më, as nuk ju shkon nëpër mënd që mund t’ju vijë në mëngjes, një urdhër nga drejtoria: je i larguar ose je e larguar nga puna, se do vijë filania jashtë profilit, do marrë punën tënde apo do shkosh në një shkollë në anën tjetër të Shqipërisë, që të detyrohesh që të thuash “s’po shkoj fare, se unë nuk e kam të mundur”. Këto nuk ndodhin më. Nuk ndodh më që të vijë urdhri nga drejtoria e shkollës: Hajde, se do dalim miting të gjithë bashkë se ka ardhur kryeministri apo ka ardhur Kryetarja e Kuvendit”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “mbi të gjitha, nuk ndodh më që të ketë mësues që punësohen jashtë profilit”.

“Kemi gjetur një sistem me mijëra e mijëra e mijëra mësues jashtë profilit, që kishin mbaruar për fizkulturë dhe jepnin aritmetik ose kishin mbaruar për biologji dhe jepnin kimi. Pse? Se ishin të hapura rrugët që “hajde po të marr në punë, se je i partisë, je i krushqisë”, je i ku di unë se kujt, dhe kështu e gjitha ishte një konfuzion i madh dhe një çorodi e madhe”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “të gjitha këto janë sistemuar, por ama nga ana tjetër, për sa kohë do ketë shoqëri, për sa kohë do të ketë shtet, për sa kohë do të ketë qeveri, do të ketë gjithmonë gjëra për të përmirësuar dhe gjëra për t’i ndryshuar në varësi të situatave dhe gjëra për të shtuar në varësi të mundësive. Mundësitë, fatmirësisht, falë ekonomisë që po rritet dhe falë të ardhurave që po rriten, po zgjerohen. Dhe kështu, sot ne i kemi mësuesit shumë më të mirë paguar se ç’i kishim. Ishin mësuesit më të keqpaguar të Ballkanit”.

Sot , vijoi Rama, statusi i mësuesit ka ndryshuar, megjithatë jemi prapë shumë të qartë të gjithë që autoriteti i figurës së mësuesit është ende në pikëpyetje, për shkak se çohen tre në një bankë atje dhe marrin peng gjithë klasën.

“Kam mësuar në këto bashkëbisedime, për shembull, që problemi kryesor janë nxënësit e shkollës dhe klasat e nënta, që janë më të mëdhenjtë e 9-vjeçares, por që kur shkojnë në gjimnaz, pastaj bëhen më të urtët, sepse aty janë më të vegjlit. Por ama janë një problem shumë i madh. Dhe në ato të dhënat që kemi marrë nga të gjitha këto rastet e bullizmit të denoncuara, pjesët dërrmuese vijnë nga nxënësit e klasave të nënta. Kemi pasur raste mësuesish që nuk e kanë pasur të mundur të hyjnë në klasë për shkak të një grupi apo një individi të kësaj kategorie”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVazhdojnë punimet për riparimin e dëmit në Ibër-Lepenc
Artikulli tjetërEuroja dhe dollari humbin terren në këmbim me lekun