TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Ilir Proda, priti në një takim kortezie ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, Reinout Vos dhe dy oficerët e kontaktit pranë Policisë së Shtetit.
Gjatë takimit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Proda dhe ambasadori Vos vlerësuan bashkëpunimin policor të deritanishëm të Policisë së Shtetit me dy agjencitë ligjzbatuese kryesore: Policinë Kombëtare Holandeze dhe Xhandarmërinë Mbretërore.
Drejtori Proda i konfirmoi ambasadorit Vos vendosmërinë e tij për të forcuar këtë bashkëpunim, duke krijuar skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacionale për të luftuar krimin e organizuar.
Ambasadori Reinout Vos e siguroi drejtorin e përgjithshëm për vijimin e mbështetjes dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe vlerësoi dhe dakordësoi qasjen e drejtorit Proda për ta konkretizuar këtë bashkëpunim jo vetëm në shkëmbime informacioni, por edhe në veprime hetimore e operacionale në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Gjatë takimit, u vlerësua dhe roli i dy oficerëve të kontaktit të Policisë holandeze pranë Policisë së Shtetit, si ura lidhëse dhe garanci që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe në fusha të tjera që kanë interes të përbashkët.
/r.e/























