Ballina Flash

Viti jubilar i Puçinit, interpretohen në COD veprat më të njohura të kompozitorit

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ U zhvillua mbrëmë, në COD, aktiviteti “Vissi d’arte, vissi d’amore”, titull frymëzuar nga një arie e famshme e kompozitorit italian Xhakomo Puçini.

Ky aktivitet që u zhvillua për të parën herë, në mjediset e Kryeministrisë, erdhi në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Puçinit, ngjarje të cilës teatrot më prestigjiozë botërorë i kanë dedikuar vitin jubilar 2024.

Ashtu si në shumicën e kryeqendrave botërore, edhe në Tiranë, përgjatë 2024-ës u realizuan koncerte e vënie në skenë të operave të shkruara nga Puçini. Në përmbyllje të këtij viti, në COD u interpretuan veprat më të njohura të tij, përfshirë romancat për vokal-piano, veprat pianistike (premierë), arie të Suor Angelica për oboe-piano dhe pjesë nga Toska për 4 duar në piano.

Ishin të pranishëm personalitete të shquara të artit muzikor shqiptar si, kompozitori Zef Çoba, sopranoja Shqipe Zani, muzikologja Holta Sina Kilica, sopranoja Eriona Gjyzeli etj. Përveç interpretimeve, u analizua jeta dhe krijimtaria e kompozitorit, duke theksuar rëndësinë e veprave të tij në historinë e muzikës dhe ndikimin e tyre në artin e operës. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNën akuzë për fshehje pasurie, SPAK çon për gjykim deputetin Asllan Dogjani
Artikulli tjetërKoçiu: 3,500 persona me aftësi të kufizuar të punësuar