PRISHTINË, 3 dhjetor/ATSH/ Shefja e re e diplomacisë evropiane Kaja Kallas, për herë të parë sot do të mirëpresë në takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Takimin e konfirmuan edhe në Qeverinë e Kosovës, të cilët theksuan se kryeministri Kurti do të marrë pjesë edhe në darkën joformale të presidentit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, por nuk treguan se nëse presin qasje të re nga përbërja e re e Komisionit Evropian në raport me Kosovën.
Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se këto takime, të parat të strukturës së re të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor, janë më shumë njoftuese. Përkundër kësaj, në raport me Kosovën dhe Serbisë theksojnë se BE-ja do të presë rezultate konkrete drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
Analisti Arbnor Sadiku thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian duhet të jetë më shumë prezent në rajon, sidomos pas sulmeve të fundit terroriste në veri, ku u rrezikua seriozisht infrastruktura kritike e Kosovës.
Njohësja politike Magbule Shkodra shprehet optimiste se shefja e diplomacisë së re të BE-së do të ketë një qasje më përkrahëse ndaj Kosovës, sesa pararendësi i saj.
Sipas saj, kjo u dëshmua edhe në reagimin ndaj sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, nga i cili furnizohet disa komuna me ujë si dhe bëhet ftohja e termocentralit Kosova B.
Kosova fajësoi Serbinë për sulmin terrorist në Zubin Potok, por Beograd zyrtar hodhi poshtë akuzat. BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si sulm terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës. /KosovaPress/






















